
Lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve ka folur për Front Online kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Krasniqi deklaron se zbatimi i Asociacionit është kusht i qartë për Kosovën, i cili është dëshmi i negocimit të Qeverisë.
Ajo thotë se ndryshimi i ndërmjetësuesit nuk sjell të reja në procesin e dialogut.
“Politika e jashtme e BE-së, nuk ndryshon me ndryshimin të ndërmjetësuesit sepse nuk ka ndryshuar as në të kaluarën, kemi disa ndërmjetësues që deri me tani kanë ndryshuar. SHBA-ja e ka bërë të qartë se mbështet BE-në në qasjen e saj të dialogut. Kushtëzimi për Kosovën është i qartë, se pa nis zbatimin e Asociacionit nuk ka asnjë rrugë të hapur për Kosovën e kjo është dëshmi i negocimit të kësaj qeverie”, thotë Krasniqi.
Deputetja Krasniqi foli edhe për masat e BE-së kundër Kosovës, e cila tha se me këto, vendi humbi miliona euro.
Krasniqi shtoi se vendet anëtare e kanë theksuar se të dyja palët duhet t’i zbatojnë obligimet e tyre.
“Për Kosovën ende janë aktive masat e BE-së, dhe miliona euro ka humbur Kosova nga këto masa. Kushdo që të lehtësojë dialogun në emër të BE, duhet të ndjekë mandatin dhe detyrat që i caktojnë vendet anëtare, dhe nuk ka lidhje kjo me individët e caktuar. Vendet anëtare janë të njëzëshme se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura”.
Deputetja e LDK-së tregoi se partia ku bënë pjesë ajo e ka vlerësuar si marrëveshje të dëmshme atë të Ohrit.
Ajo madje ka përmendur disa dëme që e prekin Kosovën.
“Ne si LDK, e kem vlerësuar si marrëveshje të dëmshme atë të Ohrit, dhe me obligime e kushtëzime të reja për Kosovën, madje edhe duke e cenuar sovranitetin e Republikës me nenet specifike. Ne kemi dëgjuar Kurtin të thotë se ka njohje de-facto. Nuk është e vërtetë, sepse njohja nuk përmendet në marrëveshje dhe nuk është aspak e qartë se çka fiton Kosova nga kjo marrëveshje. Nuk kemi garanca për njohje të reja, nuk kemi garanca se ku do të arrijmë ne me këtë marrëveshje. Kjo është dështim i kësaj qeverie”. /FrontOnline/