Krasniqi: Kosova përmbushi pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës, BE-ja t’i heqë masat e padrejta

20:33 | 21 Prill 2024
krasniqi:-kosova-permbushi-pjesen-e-saj-te-marreveshjes-se-bratislaves,-be-ja-t’i-heqe-masat-e-padrejta

Pas dështimit të iniciativës qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, ka reaguar Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Përmes një postimi në rrjetin social, X, Krasniqi shkroi se tani më shumë se kurrë BE-ja duhet t’i heqë të gjitha masat e padrejta ndaj Kosovës.

“Ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës. Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës. Ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të frenohet më nga sjellja e përsëritur destruktive e Serbisë”, shkroi Krasniqi.

Ai shtoi se edhe pse u bë thirrje për bojkot, qytetarëve iu dha mundësia ta shprehin vullnetin e tyre demokratik.

“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë”, shkroi ai.

Komento: