Krasniqi: Marrëveshja e Ohrit mundësi e humbur për Kosovën, rezultat i gabimeve të Kurtit

12:16 | 30 Mars 2023

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot ka pritur në selinë e partisë që drejton Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, të shoqëruar nga Jeeni Laakso nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Annina Peltonen nga Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisaari”.

Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se me ta ka diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, pas pranimit të propozimit evropian nga Kryeministri Kurti dhe pas dakordimit për aneksin e zbatimit të këtij plani.

“Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur Ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, të shoqëruar nga Jeeni Laakso nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Annina Peltonen nga Fondacioni për Paqe “Marti Ahtisaari” (CMI). Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe situtatën aktuale politike, pas pranimit të propozimit evropian nga Kryeministri Kurti në Bruksel dhe dakordimit për aneksin e zbatimit të tij në Ohër”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Në postimin e tij, Krasniqi thekson se për PDK-në, Marrëveshje e Ohrit nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse, e që siç thotë ai “heq dorë nga njohja e ndërsjellë”, dhe është e pamjaftueshme.

“Për ne, kjo marrëveshje, e cila nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse dhe që heq dorë nga njohja e ndërsjellë, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë”, tha Krasniqi.

Sipas Kryetarit të PDK-së, kjo Marrëveshje është rezultat i gabimeve të Kryeministrit Kurti dhe nuk i arrin qëllimet që ka Kosova.

“Kjo marrëveshje, mbi të gjitha, është rezultat i gabimeve të vazhdueshme të Kryeministrit Kurti dhe nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare. Mysafirët i falënderova për vizitën dhe mbështetjen konstante që Finlanda ka dhënë për Republikën e Kosovës”, shkroi Memli Krasniqi në Facebook.

Komento: