
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i vetmi që nga opozita iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një darkë pune, ka thënë pas takimit se arsyeja e pranimit të tij ishte komunikimi drejtpërdrejtë me kryeministrin për t’i kërkuar atij një datë të zgjedhjeve dhe që bashkërisht të votohet një mocion për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
“Unë i jam përgjigjur ftesës së Kurtit për ta takuar në një darkë pune, sepse konsideroj se është e rëndësishme t’ia shpreh qëndrimet e mia dhe të PDK-së drejtpërdrejtë dhe qartë, sesa ku do të takohemi dhe në çfarë formati që është zgjedhja e tij. Ajo që dua të them është se kjo nuk është asgjë e re”, tha Krasniqi.
“Unë dhe zotëri Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe besoj që ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë të kryeministrit të Kosovës. Unë besoj nga takimet që i kemi, në çdo cep të Kosovës se ne nuk jemi në një gjendje të mirë, Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, paga të vogla, çmime të larta, shëndetësi në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, arsim të degraduar, politikë të jashtme jo ekzistente, për më shumë një parlament jo funksional”.
“Tani kemi edhe një situatë të vështirë e të rënduar sa i përket anëtarësisë së Kosovës në Këshillin e Evropës, përkundrazi duket se do të kemi një dështim. Andaj ia shpreha edhe kryeministrit Kurti se konsideroj që duhet ta përshpejtojmë punën për t’iu dhënë zgjidhje këtyre temave. Tashmë e kemi nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por një gjë është e domosdoshme, ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse situata e jashtëzakonshme dhe kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeministrit Kurti ia shpreha këtë qëndrim”, pohoi Krasniqi.