Krimi i pandëshkuar

15:00 | 20 April 2020

Po kalonte mesi i prillit dhe gjethi ende nuk kishte mugulluar. Njerëz të hutuar e të çorientuar, venin e vinin fshatrave, pa një destinacion të qartë. Burra që tërë jetën e tyre kishin projektuar në mendje se hasmin do ta prisnin me pushkë në faqe, tani duhej të ishin mburojë dhe kurban i familjeve të tyre, të cilat ishin në kufi të ekzistencës. Bashkë me ta, gra që nuk kishin me se të ushqenin foshnjet e tyre e plaka që po mallkonin dushmanin.

Fëmijë të zbathur e të përbaltur, me sy të trishtuar e në shumë raste barkun bosh, po ndiqnin hapin e prindërve në rrugëtimin e tyre të paadresë e të pashpresë.

Vendasit kishin hapur dyert dhe magjet. Një bukë bartej dorë më dorë ndër disa njerëz, duke ndarë secili nga një kafshatë për vete. Dikush lypte konak për një natë, por pasigura nuk e linte të qetë as dhjetë minuta. Çohej e nisej, as vet nuk e dinte ku.

Kujtesa e disa brezave nuk po njihte një luftë të tillë në këto troje.

“Kjo vetëm luftë nuk është. Kështu nuk ka bërë as bullgari, gjermani e as turku“.

Thuhej se 300-400 mijë civilë shqiptarë, kryesisht nga qyteti i Prishtinës, Llapi e Karadaku, por edhe nga zona të tjera të Kosovës, kishin gjetur strehë në rajonin e Gollakut në ato ditë prilli të vitit 1999.

Dy kolona të pandërprera civilësh, kush më këmbë, të tjerë me makina e traktorë, njëra nga Mramori e tjetra nga kthesat e Stallovës, po truponin pandërprerë për ditë të tëra fshatin Grashticë. Kolonat i bashkonte vendi i quajtur “Mulliri i Isufit“, ku edhe përfundonin të dy grykat. Aty kolona bëhej një dhe rrugëtonte teposhtë drejt fshatit Makofc. Vazhdonte tutje në Llukar dhe hynte në Prishtinë.

Planet prej muajsh të banorëve të Grashticës për të zënë pritë në grykat strategjike në të hyrë të fshatit, po bëheshin gjithnjë e më të parealizueshme.

Nga fshatrat e mësipërm dëgjoheshin gjëmimet e topave dhe krismat e pandërprera të armëve nga luftimet midis njësive të UÇK-së dhe forcave serbe. Zllashi, ku edhe ndodhej komanda e Brigadës 153 të UÇK-së, por edhe fshatrat e tjera, bombardoheshin pandërprerë nga forcat serbe.

“Ç’bëhet lart? Si është situata?“, ishte pyetja më e shpeshtë e vendasve.

“Djemtë tanë po rezistojnë“.

Në kuadër të operacionit “Patkoi“, forcat serbe, me tërë arsenalin e tyre, kishin nisur mësymjet nga të dy krahët e Gollakut, nga ana e Llapit dhe ajo e Karadakut, duke i depërtuar civilët, tani me një ritëm më të shpejtë, në drejtim të Prishtinës, nëpërmjet grykës së vetme, asaj Grashticë-Makofc-Llukar.

Pas, po linin tokë të djegur.

Data shënonte 19 prill dhe njësi të mëdha serbe po pozicionoheshin edhe përgjatë kësaj gryke. Kryesisht paramilitarë. Të ngyrosur ose të maskuar. Të tjerë me koka të rruara ose të lidhura me shami. Pozicionet u zunë kryesisht në Grashticë dhe Makofc. Plani ishte i qartë. Dhe i kobshëm njëkohësisht.

Përballë kësaj situate, banorët e Grashticës po i zhvillonin konsultat e fundit mes vete. Dilema: strehimi në mal apo hyrja në kolonë.

Askush nuk e dinte zgjidhjen më të sigurtë. Për më tepër, secila dukej më e rrezikshme se tjetra: nëpër duart e tyre. Ndoshta edhe nëpër plumbat e tyre.

Ditët e para të lirisë zbardhën edhe pasojat e tragjedisë. Pas, dhimbje e pikëllim.

Mbi 120 civilë shqiptarë të fshatrave të Gollakut e të zonave të tjera të Kosovës, që ishin pjesë e kësaj golgote, djem, burra e gra, por edhe fëmijë, u ndanë nga familjet e tyre, u vranë e u masakruan mizorisht. Mijëra të tjerë u plaçkitën e u keqtrajtuan në mënyrë brutale, kryesisht në fshatrat Grashticë dhe Makofc, nga njësitë ushtarake, policore e paramilitare serbe.

Banorë të tjerë të kësaj ane, përfshirë edhe fëmijë, u vranë në prita të tjera, në përpjekje për një rrugë dhe strehë më të sigurtë.

Për Grashticën, bilanci ishte tragjik. Katërmbëdhjetë jetë të humbura nga dora vrastare: Shqipja, Latifi, Fatmiri, Rasimi, Ibrahimi, Avdushi, Fehmiu, Nysreti, Iliazi, Ismaili, Xheladini, Isa, Hajrizi, Bashkimi. Tahiri humbi jetën në përkujdesje e sipër për familjen e tij, ndërsa Murati ende konsiderohet i zhdukur.

Fshatra të tëra, pasi u plaçkitën, u dogjën e u rrafshuan me tokë.

Tmerri i 19, 20 dhe 21 prillit 1999, i përjetuar nga mijëra civilë shqiptarë gjatë këtij rrugëtimi tragjik, ende nuk e ka parë as për së afërmi dritën e të vërtetës. Ndëshkimin jo se jo.

Por ky krim makabër nuk mund të harrohet për jetë të jetëve. Sepse dëshmi janë varret. Dhe nuk mund të lihet pa u ndëshkuar. Sepse gjallë janë dëshmitarët.

Grashticë, 19 prill 2020

Komento: