Kriza në Gjermani prek ekonomitë e Evropës, remitancat e diasporës të rëndësishme për Kosovën

15:03 | 12 Tetor 2023
kriza-ne-gjermani-prek-ekonomite-e-evropes,-remitancat-e-diaspores-te-rendesishme-per-kosoven

Recesioni në Gjermani ka ndikim negativ në ekonomitë e Evropës, prandaj mund të pritet vetëm një rritje e vogël ekonomike, thekson Instituti Ekonomik i Vjenës në parashikimin e tij vjeshtor, duke shtuar se remitancat nga diaspora janë shumë të rëndësishme për vendet e Evropës Juglindore.

Instituti Ekonomik i Vjenës parashikon një rritje mesatare prej vetëm 0.6 për qind për vendet e BE-së dhe 0.5 për qind për Eurozonën këtë vit.

Ekonomistët thonë se për të gjitha këto fajtore është recesioni në Gjermani, i cili në radhë të parë po prek ekonomitë që janë të lidhura me Gjermaninë.

Situata ekonomike për BE-në pritet të përmirësohet vetëm vitin e ardhshëm, kur rritja mesatare mund të jetë 2.5 për qind.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë më elastike dhe do të shënojnë rritje midis 2.1 dhe 3.2 për qind këtë vit, sipas parashikimit të Institutit Ekonomik të Vjenës.

Kështu, parashikimi i rritjes ekonomike për Serbinë këtë vit është 1,5 për qind, për vitin e ardhshëm dy për qind dhe për vitin 2025, parashikimi flet për rritje prej 2,5 për qind.

Sipas parashikimit të vjeshtës të Institutit të Vjenës, rritja ekonomike në Kosovë këtë vit do të jetë në nivelin 3.2 për qind, vitin e ardhshëm 3.3, ndërsa në vitin 2025 duhet të jetë 3.7 për qind.

Në disa vende, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, remitancat nga diaspora luajnë një rol të rëndësishëm në ekonomi.

Në rastin e Kosovës, remitancat arrijnë në rreth dy miliardë euro, që është një e pesta e PBB-së./FrontOnline/

Komento: