
Hoti e Haziri i ndreqin punët: “Faleminderit shkëlqesi”, “Jam i nderuar me pritjen dhe fjalët tuaja”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e ndërtimit të rrugës me katër korsi Gjilan-Prishtinë, raporton Gazeta Express.
Para të pranishmëve, kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, e ka falënderuar kreun e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për punën e tij.
“Unë jam vërtet i nderuar me pritjen dhe me fjalët e juaja, me angazhimin e juaj. Ne sot kemi dalë për të qenë bashkë me kryetarin, me fillimin e punëve të mira. Ky projekt është pjesë e një projekti më të madh të financuar nga BERZH-i”, ka thënë Hoti.
Kryeministri ka thënë se Haziri është duke e bërë një punë të mirë edhe për menaxhimin e pandemisë, duke ditur që Gjilani është një nga komunat me të prekura nga pandemia.
“Jam shumë i nderuar që sot jam këtu dhe jam i bindur që në kohë rekorde do ta përmbyllim. Jemi në situatë me të vërtetë të vështirë me pandeminë, e di që Gjilani është ndër komunat më të prekura, shfrytëzoj rastin të përgëzoj punën që po bën kryetari i komunës dhe përkushtimin që ka edhe njerëzor për të tejkaluar këtë situatë.
Menaxhimi i pandemisë dhe ruajtja e jetës së qytetarëve janë ndër prioritetet tona”, ka thënë ai.