Kryeministri Hoti: S’ka më vazhdim automatik të mandatit për asnjë zyrtar të lartë

15:50 | 07 Gusht 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pasi ka hyrë në fuqi ligji i ri për zyrtarët publikë, ka vendosur që të mos ketë më vazhdime automatike të mandatit për asnjë zyrtar të lartë në asnjë institucion të Kosovës.

Në një njoftim në Facebook, Hoti ka thënë se me mbarimin e mandatit të zyrtarëve në pozita të larta publike, do të hapet konkursi për të siguruar mundësi për të gjithë.

Sipas tij, kjo do të bëhet vetëm me “garë të hapur dhe transparente”.

Ja postimi i plotë i kryeministrit Hoti:

Jemi të vendosur të sigurojmë profesionalizëm në pozita të larta të institucioneve publike dhe bordeve të ndërmarrjeve publike, nëpërmjet (I) ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë, (II) garës së hapur dhe (III) transparencës në përzgjedhje.

Në funksion të kësaj, ju informoj se:

1. Pasi ligji i ri për zyrtarët publikë ka hyrë në fuqi, kam vendosur që të mos ketë vazhdim automatik të mandatit të asnjë zyrtari të lartë në asnjë institucion. Me mbarimin e mandatit të zyrtarëve në pozita të larta publike, do të hapet konkursi sipas ligjit për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë, garë të hapur dhe transparencë. Vetëm kjo qasje na siguron se përzgjedhen më të mirët. Ky proces do të mbikëqyret edhe nga ekspertët e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar para një muaji në mes të Ambasadës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

2. Konkursi për bordet e ndërmarrjeve publike është i hapur deri më 14 gusht 2020. Ftoj të gjithë të interesuarit të konkurrojnë. Do të sigurohet transparencë e plotë në përzgjedhje, ndërsa procesi do të mbikëqyret nga ekspertët e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar. Ftoj edhe organizatat e shoqërisë civile ta mbikëqyrin nga afër këtë proces.

Komento: