Kryeministri Kurti: Kosova shënon progres në qeverisje digjitale

19:35 | 16 Nëntor 2022

Kurti: Kosova shënon progres në qeverisje digjitale.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në indeksin e Bankës Botërore të Maturitetit të Teknologjisë në Qeveri (GTMI), Kosova është kategorizuar në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se digjitalizimi është një prej shtyllave kryesore të planit qeverisës.

“Rezultatet që janë publikuar sot, tregojnë progresin që ka arritur Kosova në dy vitet e fundit në 48 indikatorët kyç të indeksit të cilat mbulojnë fushat si sistemet qeveritare, shtytësit kryesorë të digjitalizimit në qeveri dhe ofrimi i shërbimeve publike. Në matjen paraprake të indeksit GTMI për vitin 2020, Kosova ka qenë e kategorizuar në grupin C të vendeve me fokus të kufizuar në qeverisje digjitale”.

“Përparimi në këtë fushë duhet të shërbejë si inkurajim shtesë për shumë punë që na presin në digjitalizimin e të gjithë sektorëve. Strategjia e re dhe plani i veprimit për qeverisje elektronike që janë duke u përgatitur, do të ofrojnë udhërrëfyesin për avancimin gjithëpërfshirës të digjitalizimit në qeveri”.

“Jemi të angazhuar për të ngritur efikasitetin dhe transparencën e administratës publike, si dhe për të përmirësuar shërbimet për qytetarë dhe biznese” ka shkruar Kurti.

Komento: