Kryeministri Kurti: Ligji i Pagave në Sektorin Publik, krijon sistemin e unifikuar të pagave

18:42 | 22 Dhjetor 2022

Kurti: Ligji i Pagave në Sektorin Publik, krijon sistemin e unifikuar të pagave – bazuar në transparencë, drejtësi e baraza.

Kryeminsitri Albin Kurti, ka thënë se Ligji për Zyrtarët Publik dhe ai për Pagat në Sektorin Publik, janë një hap i madh përpara ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se deputetët me votën e tyre çuan përpara këto dy ligje bazë për reformën në administratë publike.

Përmes këtij ligji, sipas Kurtit, do të ngritët profesionalizmi i administratës publike, si dhe kapacitetet e saj për të dhënë shërbime të shpejta e cilësore, për shtetin e qytetarët.

Sipas kreut të Qeverisë, me Ligjin për Zyrtarët Publik, janë krijuar ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për:

Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;

Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e rejat);

Hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;

Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;

Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;

Jetësim i konceptit të karrierës (mundësi ngritje në karrierë për shërbyesit civil duke përfshirë edhe ata nga programet e bursave si Young Cells Scheme);

Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;

Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.

Po ashtu Kurti tha se Ligji i Pagave në Sektorin Publik, themelon për herë të parë sistemin e unifikuar të pagave bazuar në ligjshmëri dhe transparencë, drejtësi e barazi.

“Përmes këtij Ligji, dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë. Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës:

Dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë.

Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit është 2.88 herë.

Dallimi në mes të pagës së kreut të shtetit, Presidentes, dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë.

Mjeku specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe prokurorinë themelore dhe të përafërt me Profesorin e rregullt”, deklaroi ai.

Kryeministri tha se shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë sesa paga më e ultë, dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë sesa paga mesatare e përllogaritur sipas Ligjit të Pagave.

“Duke falënderuar secilën e secilin që i ka kontribuar këtij procesi jetik për institucionet tona, u sigurojmë që reforma legjislative është vetëm hapi i parë në rrugëtimin tonë për administratë bashkëkohore, profesionale dhe efikase”, shkroi Kurti në Facebook.

Ndërkaq, këtë ligj, e kanë kundërshtuar ashpër opozita.

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili u miratua në Kuvend këtë të enjte.

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se duke u bazuar në drejtësi, presin rrëzimin e padiskutueshëm të tij.

Sipas tij, përmes këtij ligji Qeveria Kurti po synon largimi masiv nga puna të zyrtarëve publikë, shantazhimin, politizimin dhe nënshtrimin e tyre.

Po ashtu kundër këtij ligji ka qenë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i GP-së të AAK-së, Besnik Tahiri, këtë vendim e ka quajtur terr informativ dhe manipulim të radhës.

“E tash që kaloi Ligji i Pagave, a ka dikush në qeveri që mundet me na tregu sa është rroga e një zyrtari të shtetit? Terr informativ, manipulim dhe siç po duket edhe një mashtrim i radhës. Folni mos heshtni tash”, ka deklaruar Tahiri.

Komento: