Kryeministri Kurti qe një javë në Greqi, Vlora Çitaku ngre dilema, ku ishte Kryeministri?

13:48 | 11 Korrik 2022

Kurti qe një javë në Greqi, Çitaku ngre dilema, ku ishte Kryeministri?

Kryeministri Albin Kurti nesër i bën 7 ditë prej kur shkoi në Greqi. Për këtë vizitë kanë ardhur disa pyetje nga Vlora Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka ngritur disa dilema rreth qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti në Greqi.

Çitaku tha se në ngjarje si tryeza ndërkombëtare vjetore e revistës prestigjioze “The Economist” javën e kaluar, kryeministri rri “më së shumti 2 ditë”.

“Sinqerisht, a din dikush me më tregu qe sa ditë është Kryeministri në Greqi? Rëndom, në konferenca të tilla, Kryeministri shkon në hapje, e mbanë fjalimin/takimet dhe kthehet. Më së shumti 2 ditë”, shkroi ajo.

Çitaku tha se “Kosovën po e qeverisë Besnik Bislimi”.

“As Kryeministri i Greqisë nuk rrin aty 1 javë, e lëre më të tjerët. Kosovën po e qeverisë Besnik Bislimi. Duket se kjo është Qeveria Bislimi I, jo Kurti II”, shkroi ajo.

Një javë më parë, saktësisht të martën e javës së kaluar, kryeministri Albin Kurti udhëtoi për në Greqi, për të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë. Gjatë qëndrimit atje, ai zhvilloi takime me përfaqësues të ndryshëm.

Siç njoftonte Zyra e Kryeministrit, Tryeza e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë ishte arsyeja kryesore e vizitës. Kjo tryezë u organizua nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian.

Pas kësaj ngjarje, Kurti po merr pjesë edhe në simpoziumin e 24-të “Symi” në Athinë, që është mbledhje vjetore që bashkon politikanë, intelektualë, sipërmarrës e shkencëtarë për të diskutuar lidhur me çështjet urgjente të kohës.

Në margjinat e kësaj ngjarjeje, Kurti e takoi sot emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Komento: