Kryeministri Kurti thotë se ka ardhur diçka nga Parisi e Berlini: Po diskutohen modele të ndryshme

17:01 | 10 Tetor 2022

Kurti e pranon që ka ardhur diçka nga Parisi e Berlini: Po diskutohen modele të ndryshme.

Një ditë pas Ministres së Jashtme Donika Gërvalla e cila tha se ka një propozim francez, Kryeministri Albin Kurti, e ka pranuar që ka ardhur diçka nga Berlini e Parisi që ka të bëjë me dialogun Kosovë -Serbi dhe mundësinë e një marrëveshjeje

Megjithatë, ai thotë se nuk ka asgjë përfundimtare e aq më pak vendimtare.

Pohon se ide të tilla qarkullojnë jo vetëm në Paris e Berlin, por edhe në Uashington, Bruksel, Romë, Prishtinë e Beograd.

“Ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që të jap edhe më shumë fuqi zotëri Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare, aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej që ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash dhe jepni vërejtjet”, ka thënë Kurti në Gjilan, të hënën.

Para një muaji Kurti s’kishte pranuar të flas rreth “iniciativës” gjermano-franceze. Sipas tij, para se të publikohet diçka duhet “të ngurtësohet”.

“Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikojë, pas ngurtësimit vjen publikimi”, ka deklaruar ai.

Muajin e kaluar në media ishte publikuar një dokument ku paraqitej një kornizë e re që i atribuohej Gjermanisë dhe Francës.

Korniza nuk paraqiste një marrëveshje përfundimtare në këtë vit, por brenda 10 viteve – kjo pasi BE-ja “s’ishte gati ta pranonte Serbinë në BE”.

Megjithatë rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë lidhet me dialogun, thoshte raporte.

Nga një kornizë e tillë e pranuar, Kosova do të njihej nga pesë vendet jonjohëse, ndërkaq Serbia do të njihej si “forca kryesore politike dhe rajonale”.

Megjithatë, më 21 shtator Kurti s’kishte konfirmuar se ekziston një dokument të tillë. Kishte konsideruar që kjo bëhet për ta matur pulsin e politikanëve dhe qytetarëve.

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por unë besoj se nuk është as e dobishme as e drejtë, që unë t’i komentojë ato; dokumente të cilat nuk kanë autorë, por bëhen për të matur pulsin e politikanëve dhe të qytetarëve”, kishte thënë Kurti.

Por të dielën e 9 tetorit, zëvendësja e Kurtit, Donika Gërvalla e ka pranuar ekzistencën e dokumentit, por jo edhe përmbajtjen e tij.

Ajo e ka pranuar ekzistencën e dokumentit, por jo edhe përmbajtjen të cilën e ka shpalosur Presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Madje jep përqindje – thotë se veç 10 për qind është e saktë.

“Ajo çfarë ka thënë presidenti Vuçiq rreth ulëses në OKB nuk është e vërtetë sepse propozimi është i hartuar me qëllim krejt tjetër, nuk ka pika 1 2 3 4 5, deklaroi Gërvalla për Klan Kosovën, të mërkurën.

Ende nuk ka pasur deklarim zyrtar nga Parisi dhe Berlini për këtë kornizë të re, tashmë të pranuar nga zyrtarët institucionalë në Kosovë dhe Serbi.

Komento: