Kryeministri Kurti tregon sa do të jetë buxheti i Komunës së Prishtinës për 2023

19:14 | 24 Nëntor 2022

Kurti tregon sa do të jetë buxheti i Komunës së Prishtinës për 2023.

Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur sot një takim me qytetarët e Komunës së Prishtinës, ku bashkë me Ministrin e Financave, Hekuran Muratin dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë bërë prezantimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2023.

Gjatë këtij takimi, Kurti ka deklaruar se buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2023 planifikohet të jetë 109 milionë euro, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Nga kjo shumë, 66 milionë euro do të shkojnë për shpenzime operacionale, derisa 43 milionë tjera për shpenzime kapitale.

“Për Komunën e Prishtinës buxheti për 2023 është 109 milionë euro: 66 milionë euro për shpenzime operacionale dhe 43 milionë për shpenzime kapitale. Gjithashtu edhe 51 milionë euro nga projektet kapitale të gjashtë ministrive që do të zhvillohen në Prishtinë, përveç se dihet që 5.5 milionë eurove janë për Universitetin të Prishtinës”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se Komuna e Prishtinës nuk e ka shpenzuar 32% të buxhetit nga viti 2021 dhe 51% të buxhetit të vitit 2022.

Ndryshe, para dy ditësh, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka alarmuar për Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, në një paragraf të së cilit parashihet që të hyrat vetanake të komunave mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, të bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar. Bëhet fjalë për rreth 38 milionë euro, të hyra vetanake të mbledhura nga qytetarët e Prishtinës.

“Bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetanake të komunave nga viti fiskal 2022, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK si ndarje buxhetore për një komunë, ndahen për vitin fiskal 2023 sipas autorizimeve të LMFPP-së, duke ruajtur strukturën e shpenzimeve dhe aprovuar me vendim të Kuvendit të Komunës. Te gjitha te hyrat vetanake te mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe te pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin banker”, thuhet në paragrafin 6, të Nenit 9.

Rama ka kërkuar që të fshihet fjalia e fundit e këtij paragrafi, duke shtuar se “të hyrat vetanake të Prishtinës, i takojnë vetëm Prishtinës!”.

Sipas Ramës, miratimi i këtij projektligji në këtë formë, do të paraqesë edhe shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Neni 124, pika 5 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës specifikon se “Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin”. Për më tepër, Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, neni 2, Pavarësia Financiare e Komunave, pika 2.3, parasheh që “Për të mirë të popullsisë së komunës, Kuvendi Komunal dhe zyrtarët ekzekutiv kanë të drejtën dhe autorizimin që në mënyrë të pavarur t’i rregullojnë dhe menaxhojnë burimet financiare të cilat rrjedhin nga të hyrat vetanake komunale ose të cilat i janë ndarë komunës në formë të grantit të përgjithshëm”, ka shkruar Rama.

Komento: