Kryeministri Kurti zhvillon takime në Francë: Kosova mbetet e përkushtuar në ruajtjen e paqes e sigurisë

21:18 | 11 Nëntor 2022

Kurti zhvillon takime në Francë: Kosova mbetet e përkushtuar në ruajtjen e paqes e sigurisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Francë, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, bashkëbisedoi me përfaqësues të lartë shtetërorë e institucionalë.

Bëhet e ditur se mbështetja për programet sociale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u diskutua me Carlo Monticelli, Guvernator i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (Council of Europe Development Bank).

“Me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, Gordan Grliq Radman, Kurti diskutoi për marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve, si dhe mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit”.

“Situata gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë, ishte në qendër të bisedës me ish-nën Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Jean-Marie Guéhenno”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Gjithashtu, duke diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe çështje tjera aktuale, kryeministri Kurti ka ritheksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.

Komento: