
Rreth 500 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta janë premtuar nga Qeveria e Kosovës deri në përfundim të mandatit të saj.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili njoftoi se punësimi i tyre është paraparë të bëhet çdo vit nga 100 asistentë.
Këtë njoftim, Kurti e bëri me anë të një postimi në Facebook, derisa bëri disa zotime për të përmirësuar jetën e fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Në programin qeverisës ne kemi paraparë që çdo vit të qeverisjes sonë të punësojmë nga 100 asistentë, që deri në fund të mandatit tonë t’i kemi së paku 500 asistentë në shkolla”, ka shkruar ai.
Në këtë njoftim, Kurti bëri të ditur se aktualisht janë vetëm 70 asistentë të diplomuar e të papunë.
“Tani, në 2021, punësimi i 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta po realizohet, krahas përgatitjes së kuadrove të nevojshme. Aktualisht janë vetëm 70 asistentë të diplomuar e të papunë”, shkroi ai, teksa kujtoi se viti 2022 është shpallur “vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës”.
Andaj, ai thotë se do të ndërmerren hapa konkret për përmirësimin e situatës.
“Në Kalendarin e Aktiviteteve për vitin 2022, me punën e përbashkët të përfaqësuesve të organizatave, përfshirë Down Sindrom Kosova, mes tjerash do të bëhet edhe trajnimi i mësimdhënësve dhe drejtorëve të arsimit të mesëm të lartë, për qasjen dhe arsimimin e nxënësve me nevoja të veçanta”, ka përfunduar Kurti.
