Kryeparlamentari Konjufca: SHBA mbetet aleati më i madh i popullit tonë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Kryeparlamentari Konjufca: SHBA mbetet aleati më i madh i popullit tonë

09:32 | 04 Korrik 2022

Kryekuvendari Glauk Konjufca ka uruar Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve me ç’rast thotë se është pishtari i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut dhe shtylla kryesore për paqen dhe stabilitetin në mbarë botën.

Konjufca thotë se SHBA ishte edhe fanari i lirisë për Kosovën dhe mbetet aleati më i madh i popullit tonë.

Postimi i tij:

ShBA është pishtari i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut dhe shtylla kryesore për paqen dhe stabilitetin në mbarë botën.

Ishte edhe fanari i lirisë për Kosovën dhe mbetet aleati më i madh i popullit tonë. Miqësia e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë i cili ka udhëhequr lidhjet tona të forta tash e sa vite, në mbrojtje, siguri, përparim ekonomik dhe marrëdhënie tjera strategjike dhe ndërnjerëzore.

Ky bashkëpunim dhe partneritet çdo ditë po rritet dhe po forcohet edhe më shumë.
Populli i Kosovës qëndron i përkushtuar, siç ka qëndruar gjithmonë, krah Shteteve të Bashkuara. Do të punojmë së bashku për të adresuar sfidat e ndryshme si në rajon ashtu edhe në rrafshin global.

Edhe pse gjeografikisht të largët, ne ndajmë një botëkuptim dhe interesa të përbashkëta për të avancuar idealet e paqes dhe prosperitetit.

Pavarësia është një vlerë për të cilën populli shqiptar ka luftuar shumë dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se sa e çmuar është ajo.

Shpreh urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për popullin amerikan në 246 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Komento: