Kryeshefi i ASK-së: Kontrata u nënshkrua, operatori nuk i ka sjell tabletët për regjistrim të popullsisë

18:10 | 11 Tetor 2023
kryeshefi-i-ask-se:-kontrata-u-nenshkrua,-operatori-nuk-i-ka-sjell-tabletet-per-regjistrim-te-popullsise


Kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha gjatë një interviste për Front Online para disa jave pati thënë që për tabletë është nënshkruar edhe kontrata, mirëpo operatori ekonomik nuk i solli ata brenda afatit.

“Tabletët nuk i kemi ende nga operatori ekonomik. Ne i kemi të gjitha përgatitjet për të filluar në nëntor të këtij viti. Nëse sigurohen tabletët brenda këtyre ditëve, atëherë konsiderojmë që një numër më i madh i regjistruesve të bëjmë instalimin e atyre programeve me tabletë. Kërkesa jonë ka qenë që të sigurohen 3500 tabletë, afati i fundit për dorëzim ka qenë 27 shtatori 2023”, ka thënë ai.

Procesi i regjistrimit, fillimisht, ishte paraparë të zhvillohej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë COVID-19.

Më pas u planifikua për datën 1 shtator të këtij viti, por në fund të muajit gusht, Qeveria e Kosovës vendosi që ta shtynte për dy muaj.

Kjo sipas kryeministrit Albin Kurti, u mor për shkak të pamundësisë së ASK-së që t’i planifikonte detajet.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011.

Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë. Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

 

Komento: