Kryetari i Prishtinës merr pjesë në ceremoninë e titullit ani pse u pezullua për 1 vit nga FFK-ja

23:13 | 16 Maj 2021

1 vit i suspenduar nga FFK-ja

Kryetari i klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi, u pa në ceremoninë e ndarjes së titullit të Superligës për klubin e tij të dielën në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, megjithëse në janar ishte pezulluar nga çdo aktivitet i futbollit për një vit nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Prishtina e fitoi titullin e parë në Superligë duke e mposhtur 2:1 Gjilanin në ditën e parafundit të sezonit 2020/21, duke i dhënë fund një pritjeje të gjatë prej tetë vjetëve, raporton Gazeta Express.

Klubit nga kryeqyteti iu dha trofeu i 11-të në historinë e vet pas ndeshjes në Stadiumin e Qytetit në Gjilan dhe aty nuk kishte si të mungonte njeriu që dha shumë këto vite për ta kthyer trofeun elitar në Prishtinë.

Ndër investimet më kryesore të tij këtë sezon ishte sjellja e Zekirija Ramadanit në postin e trajnerit, i cili e fitoi titullin në sezonin debutues në stolin bardhekaltër dhe të tretin e në karrierë me tri klube të ndryshme.

Por Ejupi e ka pasur të ndaluar nga FFK-ja të merrte pjesë në një ceremoni të tillë, bazuar në ndëshkimin që shtëpia e futbollit në vend ia dha më 13 janar, pasi ai e kishte kritikuar haptazi punën e federatës.

“REMZI EJUPI; kryetar i FC PRISHTINA nga Prishtina për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj dënohet me ndalesë në kryerjen e të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës në kohëzgjatje për ; 1 (një) vit”, shkruhej në njoftimin e FFK-së më 13 janar.

Ejupi, jo vetëm që mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga organi që e pezulloi, por shihet edhe me medaljen e kampionit, të cilën nuk dihet nëse e ka nga zyrtarët e FFK-së apo nga bashkëaksionari i vet, Rrahman Haradini.

Prishtina e Ejupit pas festës së titullit do t’i nisë përgatitjet për kualifikime për një vend në garën prestigjioze evropiane, Ligën e Kampionëve.

Komento: