Kuçi i përgjigjet Vetëvendosjes për inspektorin që u arrestua: Nuk ka qenë kurrë në PSD

23:20 | 30 Shtator 2020

Kuçi i përgjigjet VV-së, duke thënë se inspektori që u arrestua për ryshfet nuk ka qenë kurrë në PSD.

Partia Socialdemokrate e Kosovës i ka përgënjeshtruar pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se Gafurr Rexha, inspektori i ndërtimit në komunën e Prishtinës që u arrestua dje në flagrancë me 12 mijë euro në dorë është pjesë e kësaj partie.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka thënë se Gafurr Rexha nuk ka qenë asnjëherë pjesë e PSD-së.

“Personi në fjalë s‘ka qenë asnjëherë në PSD. Por ndërkohë e kemi parë në media që ka qenë kryetar i pikës se VV-se në Prishtine prej vitit 2016 e deri tash sa janë shpallë zgjedhjet e brendshme”, ka thënë Kuçi.

Ajo ka thënë se PSD nuk është e përfshirë në këtë temë.
“Kjo temë nuk ka të bëjë me PSD-në, andaj nuk ishim përfshirë në këtë diskutim”, shtoi ajo.

Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje e ka përgënjeshtruar lajmin se Gafurr Rexha, është pjesë e kësaj partie dhe së është larguar nga VV bashkë me ata që iu bashkuan PSD-së.

“Inspektori i Komunës së Prishtinës i arrestuar sot për ryshfet nuk është pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ai është larguar nga Lëvizjes VETËVENDOSJE në kohën kur dolën ata që pastaj ju bashkuan subjektit PSD, pra ky person ka një kohë të gjatë që nuk është anëtar i Lëvizjes”, është thënë në reagimin e Vetëvendosjes dega në Prishtinë.

Ata thonë se ajo çfarë ka ndodhur është dëshmi e asaj se komuna po mundëson ndërtimet e egra përmes korrupsionit,

“Çfarë ka ndodhur sot është dëshmi e asaj që e kemi theksuar në Konferenca për media tash e tre vite me radhë, në Komunën e Prishtinës po mundësohen ndërtimet e egra përmes korrupsionit. Ftojmë autoritetet përkatëse të japin dënimin e merituar dhe të hulumtojnë të gjitha rastet e ngjashme në Komunë”, thuhet në ragimin e Vetëvendosjes.
E këtë e ka mohuar edhe Glauk Konjufca nga Vetëvendosje. Ai ka thënë se inspektori i arrestuar i ndërtimit në Prishtinë nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Komento: