
Mbi 36 mijë kilogramë mish me afat të skaduar janë konfiskuar të martën në një biznes në Zahaq të Pejës ku dyshohej se po përpunoheshin produkte të mishit me afat të skaduar.
Mishi që u konfiskua, u gjet në qendrën tregtare ETC/Elkos në Pejë, raporton Reporteri.
Lidhur me këtë rast, ka folur edhe vetë pronari i ETC/Elkos, Ramiz Kelmendi. Ai dha një arsyetim absurd.
“Çdo gjë me afat të skaduar, nuk është produkt i prishur”, tha ai.
“Nuk jonë në ETC, mishi ka qenë i deklaruar për asgjësim dhe në bazë të asaj që kam parë edhe unë i përgëzoj AVUK dhe Policinë që e kanë mundëso me e hudh diçka që punëtorët kanë hezitu si duket me deklaru, për shkak se e kanë bo gabimin e mosrespektimit të afateve si malli që ka hy i pari dhe ka dalë. Nuk ka qenë produkt për ETC. Si ka qenë puna atje nuk e di, për arsye se nuk nuk hi nëpër frigorifera, s’jom kanë që 1 vjet. Është përgjegjësi për atë punë. Pa marrë parasysh dëmi i takon firmës. Sikur ni jogurt i del afati, e kqyr që i ka dalë afati po nuk u prish. Unë ni çokollatë që i ka dalë afati e ha lirisht edhe dy muaj ditë, nëse është e rujtne mirë”.
“Çdo gjë me afat të skaduar, nuk është produkt i prishur. Çdo produkt që ka qenë me afat të skaduar ka qenë i deklaruar se është me afat të skaduar. Policia dhe Inspekcioni e kanë gjetur. Mishi është gjetur në frigoriferin qendror të Elkosit. Policia e ka kry punën e vet. Ka pasë ndalesa”, tha Kelmendi për Sinjalin.
Policia njoftoi mbrëmë se gjatë inspektimit në këtë depo është gjetur mish me afat të skaduar. Në mesin e produkteve të mishit me afat të skaduar është gjetur mish i gjedhit, i peshkut, i pulës me origjinë të prejardhjes nga Brazili, Italia dhe Polonia.
Sasia e mishit me afat të skaduar është dërguar për t’u asgjësuar. Në deponinë e mbeturinave është bërë matja e mishit, pesha e përgjithshme e të cilit ishte: 36.180 (tridhjetë e gjashte mijë e njëqind e tetëdhjetë) kilogram.
Menaxheri kryesor i pesë njësive të biznesit afarist A.H., është dërguar në mbajtje, derisa zëvendësi i depos është arrestuar dhe më pas është liruar.
Në reagimin e “Elkos Group” thuhet se mishi e ka pasur mbishkrimin ku njoftohet se është me afat të skaduar dhe nuk ishte i destinuar për shpërndarje.
“Informojmë opinionin se; Kolegët të cilët punojnë në këtë njësi punuese kanë bërë ndarjen e një sasie të artikujve që ju ka skaduar afati. Përgjegjesi i Depos ka vendosur mbishkrimin “PRODUKTET JANË ME AFAT TË SKADUAR DHE NUK JANË PËR SHPËRNDARJE”. Produktet në fjalë kanë qenë të depozituara në këndin e veçant të frigoriferit me temperaturë të ruajtjes -18 gradë celcius. Menaxhmenti ka qenë duke e përgatitur kërkesën për asgjësim malli në ATK dhe AUV, e ku në këtë drejtim ka pasur lëshime. Menaxhmenti, falënderon Inspeksionin dhe Policinë e Kosovës për kontroll dhe kontributin që këta artikuj të asgjësohen më shpejt dhe me mbikëqyrje sipas ligjit. Sikur çdo herë tjetër edhe tani e edhe çdo herë ‘Elkos Group’ inkurajon organet përgjegjëse, inspektoratin dhe të tjera në kryerjen e detyrës, në shërbim të cilësisë dhe produktit. Opinionit i kërkojmë falje për shqetësimin ndërsa mbetemi të bindur se të gjitha palët e involvuara do të marrin përgjigje meritore sipas ligjit”, thuhet në njoftim.