Kurti: Arsimi dhe Aftësimi Profesional, themelor për zhvillimin ekonomik

12:33 | 21 Maj 2024
kurti:-arsimi-dhe-aftesimi-profesional,-themelor-per-zhvillimin-ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me grupin punues dhe përfaqësuesit e donatorëve në zbatimin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë.

Kurti cilësoi se gjatë tre viteve të qeverisjes është theksuar vazhdimisht rëndësia lidhjes së arsimit me ekonomi dhe të arsimit dhe aftësimit profesional me tregun e punës. Ai ka bërë të ditur se tashmë, në vitin e dytë akademik të zbatimit të arsimit dual, janë gjithsej 12 profile në 23 shkolla profesionale në 14 komuna të Kosovës në të cilat janë të përfshirë 920 nxënës.

“Arsimi dhe Aftësimi Profesional janë themelor për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Pajisja e fuqisë punëtore me aftësi praktike dhe të përshtatshme na lejon të adresojmë drejtpërdrejt hendekun e aftësive në industritë kyçe, duke çuar në rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe të konkurrencës në tregjet lokale dhe globale” u shpreh ai.

Në kuadër të zbatimit të sistemit dual, kryeministri njoftoi se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë punuar me përkushtim për të bërë reformat e nevojshme për të lidhur arsimin me nevojat aktuale dhe ato të ardhshme të tregut. Po ashtu në bashkëpunim me donatorë sikurse GIZ, ADA, SDC, USAID, LuxDev, KfW dhe BE, janë kryer sondazhe dhe hulumtime për të identifikuar nevojat dhe për të përcaktuar mënyrat më të mira se si t’i plotësojmë ato.

Një nga çështjet kryesore për t’u diskutuar dhe zhvilluar ishte dhe ajo mbi provimet gjatë aftësimit profesional dhe certifikimi në fund të procesit.

Komento: