Kurti flet për luftën kundër krimit e korrupsionit: Kemi shkatërruar 65 grupe kriminale e konfiskuar 1,5 ton narkotikë

22:30 | 28 Gusht 2022

Kurti, ka folur për sukseset e Qeverisë së tij.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një fjalim në mbledhjen e 48-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes ka folur edhe për të arriturat e Qeverisë së tij në fushën e drejtësisë.

Ai tha se prioritet kryesor në drejtësi mbetet vettingu i sistemit të drejtësisë dhe siç tha këtë do ta bëjnë së bashku me Kuvendin e në bashkëpunim me gjithë spektrin politik.

“Kemi vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi pasur mbi 700 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit dhe janë arrestuar mbi 2000 persona, prej të cilëve afër 300 janë zyrtarë publik; janë shkatërruar 65 grupe kriminale e është konfiskuar 1,5 ton narkotikë”.

“Kemi luftuar monopolizimin dhe ilegalitetin duke bërë fiskalizimin e resortit të skijimit në Brezovicë, zhbllokimin e rrugëve në terminalin e Hanit të Elezit dhe heqjen e liçensës korruptive të homologimit. Operacionet policore për sundim të ligjit janë zhvilluar në çdo cep të vendit, duke përfshirë edhe veriun ku janë shkatërruar 5 laboratorë të substancave narkotike, laboratorë për prodhimin e kriptovalutave dhe janë mbyllur 11 rrugë ilegale.

Sundimi i ligjit, luftimi i kriminalitetit do të mbetet prioritet në gjithë vendin pa dallim etnie e prejardhjeje”, ka thënë Kurti, shkruan Reporteri.net.

Ai tutuje tha se në drejtësi këtë vit është bërë funksionalizimi i Gjykatës Komerciale si gjykatë e specializuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore që do të ndihmojë për zhvillimin e biznesit por edhe në sjelljen e investimeve.

Kurti shtoi se është punuar në reformën e Këshillit Prokurorial.

“Kkemi miratuar Koncept Dokumentin për krijimin e fondit të konfiskimit dhe Projektligjin për Sanksionet e Shënjestruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut”, tha Kurti.

Komento: