Kurti i dërgon “selam” ministrave dhe deputetëve të tij: “Nuk jeni shefa”, “Nuk do të jeni në listat e ardhshme të VV-së”

17:30 | 28 Gusht 2022

Sot Albin Kurti ka zhvilluar një mbledhje.

Kryeministri Albin Kurti nga një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje që u mbajt sot ju ka çuar ‘selam’ ministrave të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të tij.

Kurti ka paralajmëruar ndryshime në Qeveri, ndërsa tha se “nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj”.

“Ministriat e zëvendësministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa”, tha Kurti.
Ai tha se ministrat e tij dhe stafi politik e dinë se do të vlerësohen dhe se mund të mos jenë në pozitat e njëjta.

“Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik, e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do të merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës.

Nuk mjafton që të thuhet se ministri a zëvendësministri i Vetëvendosjes nuk po vjedh, por patjetër duhet që kjo të shoqërohet me rezultate sipas programit tonë qeveritar dhe planit tonë të punës”, tha Kurti, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri kërkoi që ministrat dhe zëvendësministrat të dalin më shpesh në terren dhe të takohen me qytetarët dhe të mos i lënë punët përgjysmë.

“Nuk mjafton që të themi se po punojmë më shumë se qeveritë e kaluara. Të gjithë ministrat, zëvendësministrat duhet të shkojnë më shpesh në terren të takohen me qytetarët që i prekë fushëveprimtaria e ministrisë së tyre, duhet t’i zgjedhin problemet konkrete, duhet të vijnë me ide të reja e zhvillimore brenda programit tonë dhe sidomos të ketë zbatim të tyre deri në fund. Nuk mund ta nisim një punë që nuk e përfundojmë dhe nuk mund t’i lëmë punët përgjysmë”, tha Kurti.

Deri tani s’ka pasur ndryshime në Ekzekutiv dhe Kurti thotë se ato ka munguar për shkak të problemeve tjera.

“Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush, asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm”, ka thënë Kurti.

Kurti një mesazh ju çoi edhe deputetëve të partisë së tij.

Ai ka paralajmëruar deputetët e partisë së tij se nëse nuk e ndihmojnë qeverinë për të vazhduar përpara, atëherë ata nuk do të jenë në listat e ardhshme zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai teksa i falënderoi deputetët për punën e tyre gjatë kësaj periudhe të qeverisje, tha se mirë nuk është shkëlqyeshëm.

“E keni mundësinë të shkëlqeni, por mirë nuk është shkëlqyeshëm. Por, nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni qeverinë, gjasat janë që deputetët që janë në mesin tonë, do të jenë ata që nuk do të jenë në listat e ardhshme”, tha Kurti.

Komento: