
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të nisë procesin e negociatave, duke paralajmëruar se vonesat e mëtejshme mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të vendit.
Gjatë fjalimit në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur të enjten në Tiranë, Kurti ka theksuar se Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që ende nuk e ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Një proces i bazuar në merita duhet të na japë mundësinë të vlerësohemi; përndryshe, një histori e përparimit demokratik rrezikon të shndërrohet në një tregim paralajmërues”, ka thënë Kurti.
Ai i ka kërkuar Këshillit të Bashkimit Evropian që t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili u dorëzua në dhjetor të vitit 2022. Muajin e ardhshëm bëhen katër vjet nga dorëzimi i kësaj kërkese.
“Statusi i kandidatit dhe hapja e negociatave të anëtarësimit – një hap që Kosova e ka fituar me meritë”, u shpreh Kurti.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu se qytetarët e Kosovës kanë ndër nivelet më të larta të mbështetjes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe besimit në këtë institucion në rajon, duke vlerësuar se avancimi i vendit në procesin e integrimit është bërë urgjent.
Në fjalimin e tij, Kurti është ndalur edhe te zhvillimet ekonomike dhe demokratike në Kosovë, duke iu referuar raporteve të organizatave ndërkombëtare. Ai ka përmendur rritjen ekonomike prej 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, shtimin e investimeve private dhe rënien e papunësisë nga 26 në 11 për qind.
Kurti ka deklaruar se Kosova ka përmbushur një pjesë të konsiderueshme të reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, pas një periudhe ngadalësimi të shkaktuar nga zgjedhjet e përsëritura, vendi ka rikthyer stabilitetin institucional dhe ka përshpejtuar zbatimin e reformave.
Ai ia ka atribuuar zgjedhjeve të shpeshta edhe humbjen e miliona eurove nga fondet e këtij plani.
Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe përfitimet nga integrimi gradual me Bashkimin Evropian, përfshirë lehtësimin e procedurave kufitare, aplikimin për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), lansimin e portofolit digjital dhe avancimin në fusha të tjera të bashkëpunimit rajonal.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Kurti ka kritikuar Serbinë për pengesat që, sipas tij, po i shkakton integrimit ekonomik, duke përmendur mosnjohjen e diplomave dhe bllokadat në zbatimin e marrëveshjeve të CEFTA-s.
Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që ndarjen e fondeve dhe mbështetjen financiare ta bazojë në rezultate konkrete, në mënyrë që vendet që zbatojnë reformat dhe marrëveshjet të përfitojnë në përputhje me angazhimet e tyre.
Në fund, Kurti ka ngritur edhe çështjen e rreziqeve nga lufta hibride e Rusisë në Evropë, duke theksuar se integrimi ekonomik tashmë është i lidhur ngushtë edhe me sigurinë.
Ai ka thënë se Kosova synon të jetë pjesë e përpjekjeve evropiane për forcimin e sigurisë, zhvillimin e sektorit të energjisë dhe rritjen e ndërlidhjes rajonale.