Kurti në njëvjetorin e qeverisjes: U shënua rritje ekonomike, rezultate të mira në luftën kundër krimit e korrupsionit

12:13 | 22 Mars 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në njëvjetorin e votimit të Qeverisë, tha se gjendja me pandeminë është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm, ndërsa është shënuar rritje ekonomike dhe rezultate të mira në luftën kundër krimit e korrupsionit.

Këto të arritura, Kurti ia tregoi historianit, Oliver Jens Schmitt, gjatë takimit të sotëm.

Schmitt e përgëzoi kryeministrin për të arriturat dhe për stabilitetin politik në qeverisje. Ai e vlerësoi Kosovën si vendin me demokracinë më funksionale në rajon, me media dhe shoqëri të lirë. Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë këtë progres të Kosovës, tha Schmitt.

Ndër të tjera, ata diskutuan për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në Evropë e posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe studiues i albanologjisë. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Kosovës.

Schmitt i dhuroi Kurtit librin e tij të fundit, përmbledhjen në pesë vëllime të korrespondencave të konsujve austriakë për Kosovën me titull: “Politika dhe Shoqëria e Vilajetit të Kosovës”.

Komento: