Kurti pas vizitës në Gjermani: Kur vendet autoritare po kërcënojnë me largim, Kosova me meritë kërkon anëtarësimin në KiE

21:33 | 26 Prill 2024
kurti-pas-vizites-ne-gjermani:-kur-vendet-autoritare-po-kercenojne-me-largim,-kosova-me-merite-kerkon-anetaresimin-ne-kie

Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje mbi takimet që ka zhvilluar këtyre ditëve në Gjermani. Ai tha se kryefjala e vizitës së tij në Gjermani ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kurti tha se për këtë çështje kanë kërkuar mbështetje të mëtejmë nga aleatët gjermanë.

“Në Gjermani, nga Hannoveri në Berlin, dy ditë të tjera të mbushura me takime e ngjarje të vlefshme mes miqsh e partnerësh. Kryefjala e vizitës sonë ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilën bëmë thirrje për mbështetje të mëtejme nga aleatët tanë gjermanë”, ka shkruar Kurti në një postim në “Facebook”.

Ai ka shtuar se regjimet autoritare e jo-demokratike janë përjashtuar ose po kërcënojnë me largim nga Këshilli i Evropës, ndërsa Kosova po kërkon me meritë anëtarësimin në këtë organizatë që mbron e promovon pikërisht të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.

“Fuqizimi i marrëdhënieve me partnerët e aleatët tanë gjermanë është përherë i domosdoshëm e mban gjithmonë një vend të veçantë në politikën tonë të jashtme”, ka shkruar ai./Front Online/

 

Komento: