Kurti për PISA-n: Mësimdhënësit duhet të garantojnë që nxënësit po mësojnë

11:29 | 13 Dhjetor 2023
kurti-per-pisa-n:-mesimdhenesit-duhet-te-garantojne-qe-nxenesit-po-mesojne

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për rezultatet e Kosovës në testin PISA, ku tha se si qeveri janë të shqetësuar për to.

Kurti tha se rezultatet e testit PISA, ku Kosova u rendit e 76-ta prej 80 shteteve, treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që sipas tij, shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë e për të cilat tha se nuk do të mund të rregullosh as për njëherë e as shpejt.

“Testi PISA po tregon që në fëmijërinë relativisht të hershme diçka nuk po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës, të mësimdhënies e mësimnxënies, ndërsa mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë dhe të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dinë”, tha Kurti.

Në lidhje me rezultatet e testit PISA, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pati deklaruar se ato ishin të pritshme, duke thënë se rol në rezultat ka luajtur edhe pandemia e COVID-19.

Komento: