Kurti sërish kritika Borrellit për qasjen në dialog: Në Bruksel shkoj për marrëveshje finale

12:48 | 30 Nëntor 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti interpelancën e sotme në Kuvend lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, ka folur për rrjedhën që çoi deri në marrëveshjen e 23 nëntorit në Bruksel.

Kurti sërish ka përsëritur se pa rrjedhën e zhvillimeve të takimit të 21 nëntorit në Bruksel, nuk do të arrihej marrëveshja e 23 nëntorit. Ai sërish, por kësaj radhe pa ia përmendur emrin ka akuzuar kryediplomatin evropian, Josep Borrell se e në takimin e 21 nëntorit e braktisi propozimin franko-gjerman, shkruan Reporteri.net.

“Më 23 nëntor unë kam treguar para jush rrjedhën e takimit të nivelit të lartë më 21 nëntor.

Teksti i propozuar nga Borrell si draft deklaratë që propozohej të lëshohej në fund të takimit, i kishte 4 paragrafë.

Marsi 2023 për herë të parë përmendet në ftesën e Borrell e Lajçak për takimin që u zhvillua më pastaj. Në parim ne u pajtuam dhe shkuam në Bruksel. Në kuadër të diskutimeve ne e vëmë theksim te propozimi i BE-së si dialog për marrëveshje. Konvertimi i targave është e drejtë e qytetarëve, por edhe obligim i tyre. Ne këtë obligim e kemi zbatuar duke paraqitur edhe incentiva financiare për ata që bëjnë konvertimin. Mos të harrojmë se dhjetëra mijëra serbë tashmë i kanë konvertuar targat në RKS. Është një pakicë përmbrenda as serbe që nuk i ka konvertuar. Këtë e dëshmojnë të dhënat e Ministrisë.

Ne ishim dakord të pezullonim gjobat nëse Serbia do të ndalonte lëshimin e këtyre targave. Ky ishte propozimi, shumë racional dhe ndodheshim fare pranë për një deklaratë të përbashkët. Takimi i së hënës nuk ishte i suksesshëm pasi nga fokusi te propozimi i BE-së, u kalua vetëm tek targat. Unë ua përsërita se nuk jam as polic, shef kadastre e zyrtar dogane. Jam kryeministër dhe kam ardhur për marrëveshje finale. Ata e dinin se kam të drejtë. Të mërkurën më 23 nëntor, u arrit pikërisht ajo që mund të arrihej të hënën. Në gjykimin tim në dakordimin e së mërkurës nuk ishte i mundur pa zhvillimet e së hënës. Sepse të hënën u panë shumë gjëra, u pa braktisja e propozimit nga ndërmjetësit evropian.

Tani u takon sponsoruezve të këtij plani që në një afat sa më të shpejtë të arrijmë një marrëveshje finale.”, u shpreh Kurti.

Kurti tutje foli për qasjen e tij në dialog, duke thënë se qytetarët kanë votuar për një qasje të re në procesin e dialogut. Ai ka hedhur thumba në drejtim të partive opozitare, duke thënë se “me siguri që do të kishte mocion mosbesimi për ta rrëzuar Qeverinë”, në rast se Qeveria e tij do të varej nga Lista Serbe.

“Qytetarët e Kosovës kanë votuar masivisht për ndryshim dhe një qasje të re në dialog me Serbinë. Kritikat i mirëpres. Sikur të ishim në qeveritë e kaluara, ku shumica bëhej e varej nga Lista Serbe me siguri që do të kishte mocion mosbesimi për ta rrëzuar Qeverinë. Por ja që kjo nuk është e mundur tani. Ka ndodhur ndryshimi i madh dhe besoj që të gjithë duhet të gëzohemi që Kosova ka një qeveri që nuk varet nga Lista Serbe.

Shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit nuk është diçka e jashtëzakonshme, është betim i yni kushtetues e ligjor. Në asnjë vend tjetër si në veri nuk është luftuar më shumë angazhimi i drejtë dhe ligjor i Policisë së Kosovës. Kjo ndodh sepse për vite veriu është menaxhuar nga strukturat e udhëhequra prej Serbisë. 1800 qortime janë shpërndarë dhe nuk është shënuar asnjë ankesë, e incident”, u shpreh Kurti.

Ai sërish u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucione.

“Çështja e trajtimit të të dorëhequrve të zyrtarëve policor nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja e tyre. Tash unë e përsëris thirrjen time që asnjë serb të mos i braktisë institucionet. Kjo është thirrja ime e vazhdueshme”, u shpreh Kurti në seancën e Kuvendit.

Komento: