Kurti thotë se deri në fund të vitit, Kosova do ta ketë të kryer aplikimin për anëtarësim në BE

14:52 | 26 Gusht 2022

Këtë vjeshtë, e më së largu në Krishtlindje të këtij viti, Kosova aplikon për anëtarësim në BE, tha kryeministri Kurti për gazetën gjermane “Welt”.

I pyetur se pse mendon se Kosova ka gjasa e duhet të anëtarësohet në BE, ai tha se “ne jemi vendi më pro-demokratik e pro-perëndimor në Ballkanin Perëndimor”.

“Përveç kësaj, siguria e kontinentit evropian është e kërcënuar pas sulmit krejtësisht të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Pra, do të ishte e rëndësishme të kishit një partner të qëndrueshëm në Kosovë në krahun tuaj në Ballkanin Perëndimor. Pra, të dyja palët do të përfitonin njëlloj”.

Megjithëkëtë, ai tha se “sigurisht” se nuk pret që Kosova të anëtarësohet sivjet ose tjetrin.

“Do të ishte absolutisht e nevojshme një kornizë kohore nga Brukseli me piketa për t’u arritur”.

“Do të ishte e rëndësishme që dikush me ndikim në BE të ngrihet dhe të thotë: Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së deri në vitin 2030”, tha kryeministri.

Ky është një premtim evropian që nga viti 2003, rikujtoi ai.

Nga Kosova s’duhet frikësuar askush, vazhdoi ai. “Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me 18 milionë banorë janë sa Holanda”.

“Fuqia ekonomike korrespondon me produktin e brendshëm bruto të Sllovakisë. Përveç kësaj, çdo i treti banor i Ballkanit Perëndimor nuk jeton më sidoqoftë në shtëpi, por diku në Evropën Perëndimore, kryesisht në Gjermani”, përfundoi kryeministri.

Komento: