Kurti: Transformimi digjital, ndër prioritetet e qeverisë

19:46 | 04 Nëntor 2023
kurti:-transformimi-digjital,-nder-prioritetet-e-qeverise

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se transformimi digjital në qeveri dhe ekonomi është një nga prioritetet e qeverisë të cilën ai e udhëheq.

Kurti tha se tashmë janë lansuar mbi 150 shërbime elektronike në platformën E-Kosova, duke përfshirë certifikatat e digjitalizuara të gjendjes civile, gjobave në trafik, vazhdimin e regjistrimit të veturës e aplikimet për shtesa.

“Gjithashtu, është realizuar mundësia që ato shërbime elektronike që janë me pagesë, të mund të paguhen online drejtpërdrejtë në e-Kosova, ku të regjistruar janë mbi 815 mijë përdorues”.

“Progresi i arritur në qeverisje digjitale është njohur edhe nga indeksi i Bankës Botërore për Maturitet të Teknologjisë për Qeverisje (GTMI), ku Kosova ka avancuar nga grupi C i vendeve me fokus të kufizuar, në grupin B të vendeve me fokus të konsiderueshëm në qeverisje digjitale”, tha Kurti.

Më tej, ai tha se Strategjia e Sigurisë Kibernetike 2023-2027, e cila përmes një investimi gati 10 milionë euro nga qeveria dhe donatorët, adreson nevojën për forcimin e sigurisë kibernetike kombëtare.

“Ndërkaq Strategjia e e e-Qeverisjes 2023-2027 është një strategji gjithëpërfshirëse për digjitalizim në qeveri, që parasheh një investim prej 48 milionë euro nga qeveria dhe donatorët. Ajo adreson aspektet teknologjike, njerëzore dhe organizative të nevojshme për rritjen e shërbimeve elektronike që në qendër e kanë qytetarin, krijimin e avancimin e platformave të përbashkëta digjitale për institucionet qeveritare, si dhe kultivimin e inovacionit në sektorin publik”, shkroi Kurti.

Kreu i qeverisë përmendi edhe miratim e ligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, që sipas tij, paraqet një legjislacion shumë të rëndësishëm në fushën e digjitalizimit.

“Për të garantuar një hapësirë kibernetike të sigurt është miratuar edhe ligji për sigurinë kibernetike. Përmes tij, themelohet Agjencia përkatëse dhe përcaktohen standardet minimale të sigurisë kibernetike në infrastrukturën kritike. Ndërsa plotësim-ndryshimi i kodit penal dhe kodit të procedurës penale, ka mundësuar përfshirjen në legjislacionin vendor të veprave penale që kanë të bëjnë me krimet kibernetike, bazuar në Konventën e Budapestit”.

“Hartimi i legjislacionit është një proces i brendshëm i rëndësishëm i shtetit. Për këtë qëllim, kemi zhvilluar dhe funksionalizuar edhe sistemin elektronik për hartimin e legjislacionit (LDS), i cili digjitalizon tërë ciklin e hartimit të legjislacionit primar dhe sekondar. Nga faza e përfshirjes në planin legjislativ e deri në miratimin e tyre në organet përgjegjëse qeveritare”, tha Kurti.

Kurti, më pas tha se me Agjendën Digjitale 2030 të miratuar këtë vit, synohet kontributi për një administratë publike më transparente, më llogaridhënëse, shëndetësi më efikae, arsim më cilësor, shërbime më të mira, ekonomi më produktive dhe rritje e zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik.

Komento: