Kusari Lila: Opozita po tenton të keqinformojë qytetarët

12:59 | 15 Mars 2022

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, ka kritikuar opozitën për seancën e thirrur sot, se kinse ata po tentojnë të keqinformojnë qytetarët.

Seanca e sotme është thirrur nga opozita lidhur me ngritjen e çmimeve.

“Debati po synon të imponojë mendimin që qeveria nuk po reagon ndaj ngjarjeve në vend. Shembull është aksioni i djeshëm i inspektoratit policor”, tha ajo.

Kusari Lila në seancën e Kuvendit ka përmendur aksionin e organizuar dje, “Pika”, duke u mburrur për Qeverinë Kurti.

“Fakti që konfirmohet se askush nuk është i paprekshëm as Policia e Kosovës, tregon për nivelin aktual ndaj rendit dhe ligjit për të cilën është e angazhuar kjo Qeveri. Ju sot natyrisht se e bëni këtë debat për përfitim politik. Nga fillimi i pandemisë pakot e rimëkëmbjes u janë ndarë qytetarëve në nevojë. Në qershor të vitit 2021 ishte 420 milionë euro. Në fund të shkurtit qeveria ka ndarë mjete shtesë për programin e rezervave shtetërore. Qeveria ka ndalë edhe për 5 masa të ringjalljes ekonomike për t’i mbështetur ata që kanë humbur në punë atë. Kjo seancë e thirrur nga opozita po synon të keqinformojë”, tha Kusari Lila.

Kusari Lila ka kritikuar opozitën se po thërret seanca në kohën kur në vend ka ngjarje tjera edhe më me rëndësi.

“Sot, po e bëni këtë debat për qëllime politike”, shtoi ajo.

Tutje, në seancë, Kusari Lila ka përmendur siç tha ajo, “arritjet e Qeverisë Kurti”, duke përmendur në veçanti pensionet e rritura.

“Kjo qeveri është e qytetarëve”, tha ajo.

Komento: