Kush është gjykatësi francez që po e gjykon Salih Mustafën?

19:18 | 29 Shtator 2020

Kush është gjykatësi francez që po e gjykon Salih Mustafën dhe krerët e OVL-së.

Juristi francez, Nicolas Guillou ka qenë gjykatës i procedurës paraprake në dy seancat e para të Gjykatës Speciale në Hagë.

Dje, Guillou e menaxhoi më lehtë seancën gjyqësore ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, ndërsa sot pati më shumë punë.

Nasim Haradinaj, e sfidoi gjykatësin francez duke mos u përgjigjur shkurt, ashtu siç i kërkonte, por duke dhënë kritika të ashpra për mënyrën e trajtimit.

Për Salih Mustafën dje më shumë foli avokati i tij, Julius Von Boné, ndërsa ish-eprori i UÇK-së nuk pranoi të deklarohej as rreth pa/fajësisë pa u konsultuar me avokatin nga Rotterdami. Ai u paraqit kryesisht i heshtur në seancën e parë gjyqësore, ndërsa u pa duke buzëqeshur teksa i lexohej teksti me akuzat që e përfshijnë atë në vepra të rënda si vrasje e tortura, që pretendohet se i ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkohë, Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, sot u ndërpre disa herë nga gjykatësi Nicolas Guillou, masi nuk hezitoi të drejtojë akuza të rënda ndaj kësaj gjykate, të cilën tha se nuk e njeh dhe se do ta kundërshtojë edhe nëse do të dënohet.

Madje ai e kishte bërë gati edhe një tekst, të cilin gjykatësi francez nuk e lejoi ta lexonte me arsyetimin se në seancën e parë gjyqësore nuk duhet të diskutohet thelbi i çështjes.

Kush është Nicolas Guillou?

Nicolas Guillou prej vitit 2015 është shef i kabinetit të Kryetarit të Tribunalit Special për Libanin.

Nga viti 2012 ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundërterrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik.

Gjatë periudhës midis viteve 2006-2012, gjykatësi Guillou shërbeu në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike.

Nga viti 2003 deri më 2006, Guillou punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Meaux, afër Parisit, ku trajtoi çështje të ndryshme penale si vr’asje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe kr’imin financiar.

Guillou ka përfunduar masterin në të drejtën penale ndërkombëtare dhe evropiane në Universitetin e Sorbonës (Francë).

Nicolas Guillou do të jetë gjykatës edhe në seancën e parë gjyqësore ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit, e cila është paraparë të mbahet më 1 tetor.

Komento: