Ky është tifozi të cilin nuk e largon as koronavirusi

22:25 | 10 Mars 2020

Shumica e ndeshjeve tashmë po zhvillohen pa praninë e tifozëve, për shkak të frikës nga koronavirusi.

Tifozi i Valencias, Vicente Navarro, i rikthyer në statujë, është ‘personi’ i vetëm i ulur në tribunat e ‘Mestalla’, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Atalantas.

Valencia dhe Atalanta janë duke u takuar në ‘Mestalla’, në ndeshjen e kthimit të 1/8 së Ligës së Kampionëve.

Shkaku i frikës së koronavirusit, UEFA ka vendosur që kjo ndeshje të luhet pa tifozë.

Përjashtim bën Vicente Navarro, i cili për nder të besnikërisë së treguar ndaj Valencias, pas vdekjes së tij, statuja i është vendosur në ‘Mestalla’, për t’i ndjekur përgjithmonë ndeshjet e skudrës të cilën e mbështeti gjatë gjithë jetës.

Navarro ka qenë një nga tifozët më të vjetër të Valencias, dhe më i veçanti për nga historia.

Edhe pse në moshën 54 vjeçare kishte humbur shikimin, ai kishte vazhduar të shkonte në ‘Mestalla’, sa herë që Valencian zhvillonte ndeshjet si vendas.

Derisa po zhvillohet ndeshja mes Valencias dhe Atalantas, në media është publikuar statuja e tij që qëndron në Mestalla, duke shkruar se është tifozi i vetëm që po ‘ndjek’ këtë ndeshje nga tribunat e stadiumit.

Komento: