Lajmi i fundit nga La Liga spanjolle: Ja sa persona do të jenë në stadium kur të luhen ndeshjet

23:06 | 18 Maj 2020

Është mësuar se sa persona do të jenë në stadium kur të luhen ndeshjet në La Ligën spanjolle.

Në bazë të një protokolli të përgatitur nga liga spanjolle e futbollit, 197 persona do të jenë në stadium kur të luhen ndeshjet e La Ligas.

Dokumenti i detajuar është përgatitur nga La Liga dhe është prezantuar për klubet lidhur me masat që do të aplikohen, ka shkruar The Guardian.

Lojtarët dhe zyrtarët do t’iu nënshtrohen testeve 24 orë para ndeshjeve, ndërsa matja e temperaturës së lojtarëve do të bëhet rrugës për në stadium.

Nuk do të ketë shtrëngim duarsh para ndeshjeve, por nuk ka sugjerime që pështymja apo festimi i golave do të ndalohet.

Skuadrave spanjolle prej të hënës u janë lejuar stërvitjet grupore. Shpresat janë që kampionati spanjoll të vazhdojë më 12 qershor. Ndeshje do të luhen çdo ditë deri në përfundim të edicionit më 31 korrik.

Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka thënë se rreziku ndaj lojtarëve në ndeshje është “praktikisht zero”, nëse protokollet e stërvitjeve dhe ndeshjeve aplikohen si duhet.

Komento: