LDK-ja e konsideron të gabuar politikisht letrën e Gërvallës për Asociacionin

11:03 | 16 May 2024
ldk-ja-e-konsideron-te-gabuar-politikisht-letren-e-gervalles-per-asociacionin

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se letra e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, ku zotohet që do ta çojë një draftstatut të Asociacionit të punuar nga vetë Qeveria në Gjykatën Kushtetuese, është dërguar në adresë të gabuar.

Sipas Gashit, Gërvalla e ka dërguar letrën te personi i gabuar pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka kaluar votimin për Kosovën. Ndërkaq, e sheh edhe të humbur mundësinë që Kosova të anëtarësohet këtë muaj në Këshillin e Evropës.

“Letër e çuditshme nga kuptimi përmbajtjësor dhe procedural. Kjo letër dërgohet pasi Kosova ka mbetur jashtë diskutimit të Komitetit të Ministrave. Problemi i dytë është që kjo letër i drejtohet personit të gabuar. Asambleja  Parlamentare e ka kry punën e vet, nuk ke pse t’i thuash atij për Asociacionin. Një përgjigje natyrale e kryetarit të Asamblesë Parlamentare do të ishte ‘pse ma ke dërgu një letër mu’, kur kjo është jashtë fushës së Asamblesë Parlamentare. Raporti i Asamblesë Parlamentare nuk parasheh kërkesën për themelimin e Asociacionit. Pastaj problemi i tretë është deklarimi se do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të muajit. Pse është lënë deri në fund të muajit kur është ditur qe gjashtë muaj që mbledhja e Komitetit të Ministrave do të mbahet më 16 dhe 17 maj. Është veprim politikisht dhe taktikisht i gabuar dhe humbje për Kosovën. Kosova e ka humbur mundësinë që të merret vendim pozitiv për të në Këshill të Evropës”, ka thënë Gashi gjatë hyrjes në Kuvend.

Komento: