LDK për dëshmitarin që u paraqit në Speciale si anëtar i saj: “Le të bëhet drejtësia”

17:55 | 18 Prill 2023

Në Kosovë ka njëfarë shqetësimi se Gjykata Speciale mund ta rishkruajë historinë dhe këtë e ndjejnë mijëra qytetarë që marshuan për drejtësi në prag të nisjes së gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së. LDK-ja e konsideron absurde këtë. “S’ka asnjë kompromis për drejtësinë”, thotë partia më e vjetër në vend që po pret drejtësi nga Haga. Të martën një person u paraqit si anëtar i LDK-së në gjyq për të dëshmuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se “drejtësinë duhet t’ia lëmë drejtësisë”, pasi të martën një person u paraqit si anëtar i kësaj partie për të dëshmuar kundër ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, akuzohen, ndër tjerash edhe për vrasjen e anëtarëve të partisë më të vjetër në vend.

Arben Gashi, shef i grupit të deputetëve të LDK-së tha mbrëmë në Pressing në T7 se “situata është shumë komplekse”. Ai thotë se nuk e ka të qartë qëllimin e marshit në të cilin morën pjesë mijëra persona më 2 prill në Prishtinë, në prag të nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai thotë se tani është faza kur duhet të vendoset drejtësia.

“Në këtë rast, faza ku jemi ne, ne vlerësojmë si Lidhje Demokratike e Kosovës se duhet t’ia lëmë drejtësinë drejtësisë. Pra, drejtësia duhet të ndajë drejtësinë. Është e pamundur të bëhet diçka”, tha Gashi.

I pyetur se pse LDK-ja nuk po distancohet nga dëshmitë dhe akuzat se ish-krerët e UÇK-së kanë pasur qëllim përndjekjen e anëtarëve të LDK-së, Gashi tha se “s’ka asnjë kompromis për drejtësinë”.

“Ne e kemi votu Gjykatën Speciale. Asnjë lloj kompromisi për drejtësinë. Dhe s’ka diskutim kjo punë. Hiç, në asnjë formë, në asnjë rrethanë”, tha ai.

Gashi tha se duhet dhënë përgjegjësi nëse dikush është keqtrajtuar për shkak të përkatësisë politike. Ai i konsideron absurde pretendimet se kjo gjykatë mund ta rishkruajë historinë. Lufta në Kosovë ka qenë luftë e popullit të Kosovës, thotë ai.

Njerëz të pafajshëm janë vrarë dhe institucionet nuk i kanë zbardhur, thotë Gashi. “Dhe ato nuk mund të mohohen”.

Ai tregoi një bisedë me Sabri Hamitin, ish-deputetin e LDK-së ndaj të cilit ishte bërë atentat. Sipas Gashit, Hamiti kishte thënë se pavarësisht dorasit, ai nuk besonte se atentati ndaj tij është urdhëruar nga shqiptarët.

“Në bisedë personale, intime, më ka thënë që unë nuk mund ta mendoj kurrë që më kanë vra shqiptarët. Nuk e di kush ka qenë dorasi, por ai s’ka qenë kurrë interes i shqiptarëve të Kosovës për ta vrarë Sabri Hamitin, Enver Malokun, Xhemajl Mustafën pasluftës. Pra, nuk ka qenë interes i shqiptarëve ai. Tash kush e ka ekzekutu, a është shqiptar ekzekutuesi, s’ka rëndësi hiç. Tash po e citoj z. Hamiti. Thotë për mua s’ka rëndësi kush është ekzekutuesi, për mua është e rëndësishme kush është urdhërdhënësi, dhe urdhërdhënësi në këtë rast është Serbia”, tha Gashi.

“Në Gjykatën Speciale kurrkush nuk flet në emër të LDK-së”

Arben Gashi thotë se LDK-ja nuk mund të gjykojë se çfarë ka ndodhur para 25 vjetësh, por se sipas tij, në Gjykatën Speciale askush nuk flet në emër të kësaj partie.

“Nuk është kurrkush që shkon të flasë në emër të LDK-së atje”, thotë Gashi. “Ai që shkon si dëshmitar, është viktimë”, shton ai.

“Unë nuk mund të gjykoj çka ka ndodhë para 25 vjetësh si LDK sot”, u shpreh ai.

Për arsye politike, Gashi thotë se “luftën e UÇK-së janë munduar ta lokalizojnë ose ta përvetësojnë një grup i caktuar që sot janë kryesisht në Hagë”.

“Sepse ata kanë thënë ne kemi qenë komandanta, s’ka pasë të tjerë, s’ka luftu kurrkush tjetër, kanë shkruar libra për atë punë, etj. Por është pjesë për të cilën ata përgjigjen tash”, thotë deputeti.

Kur akuzat ndaj UÇK-së që i paraprinë krijimit të gjykatës ishin bërë ndërkombëtare, Gashi thotë se ish-kryeministri Hashim Thaçi “ka mundur t’i kërkojë Eulex-it që t’i hetojë ato raste”. Ai nuk beson që ka pasur trafikim të organeve, por thotë se Qeveria e atëhershme është dashur të merret me ato akuza.

“Ka pasë një qeverisje që ka pasur për detyrë të merret me këtë punë. Dhe fatkeqësisht në qeverisje kanë qenë pothuajse të gjithë ata që kanë qenë atje”, tha Gashi.

Çka tha dëshmitari i dytë në Gjykatën Speciale

Pasi për disa ditë publiku nuk mundi të dëgjojë asnjë fjalë të një gruaje e cila u paraqit si dëshmitarja e parë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Specialja të martën e thirri një burrë për ta dhënë dëshminë e tij.

Dëshmitari i dytë nisi të martën dëshminë e tij para gjykatës. Seanca shumicën e kohës u mbajt e mbyllur për publikun, por u hap herë pas here sa për të dëgjuar ndonjë përgjigje të tij. Kur seanca bëhej publike për pak, Prokuroria i kërkonte atij që të jepte përgjigje të përgjithësuara.

Ai u paraqit si anëtar i LDK-së dhe tha se kishte qenë edhe pjesë e UÇK-së. Dëshmitari tha se në UÇK u anëtarësua pasi “pas vrasjes së familjes Jashari atëherë i madh e i vogël u kyçën”, ndërsa tha se u bë anëtar i LDK-së pasi kjo parti “ka pasë një program për shtet dhe për pavarësinë e Kosovës nga Serbia”.

Në pjesët e dëshmisë së tij të cilat Specialja i vuri në dispozicion të publikut, ai foli fillimisht për organizimin e LDK-së dhe UÇK-së.

Ai tha se marrëdhëniet e UÇK-së dhe LDK-së “nuk ishin bash të mira”.

“Nuk ishin edhe bash të mira marrëdhëniet e LDK-së me njësitet në Malishevë, edhe pse ishin një masë e madhe të kyçur. Por nuk kanë qenë edhe bash raportet e shëndosha, sepse vazhdimisht ka pasur presione që LDK ta pushojë aktivitetin në Malishevë”, tha dëshmitari.

Këtë presion, ai tha se “e ushtronte drejtoria politike e UÇK-së në Malishevë”, të cilën tha se e drejtonte Gani Krasniqi.

I pyetur se kush e ushtronte këtë presion, dëshmitari tha: “E ushtronte drejtoria politike e UÇK-së që ishte në Malishevë”.

Dëshmitari tha se UÇK-ja nuk e njihte presidentin Ibrahim Rugova, por tha se ka pasur anëtarë të UÇK-së që i njihnin institucionet paralele.

Paraprakisht, ai foli edhe për daljen e parë publike të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skënderajt, në të cilin tha se kishte marrë pjesë edhe vetë.

Komento: