
Me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, jo vetëm procesi i votimit brenda vendit, por edhe votimi jashtë Kosovës ka pësuar disa ndryshime rrënjësore.
Zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për Ekonomia Online procesin e votimit jashtë Kosovës, që nga koha e aplikimit dhe deri në momentin e votimit.
“Në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit, fizikisht, në përfaqësi diplomatike apo në hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit, sipas kritereve të KQZ-së, duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës dhe duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë, gjatë fazës së dytë, e cila do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, varësisht se për cilën nga mënyrat e votimit është përcaktuar votuesi, do të jetë edhe periudha se kur votuesi do të mund të votojë.“Sipas ligjit, votuesit që zgjedhin të votojnë përmes postës, pakot e tyre me fletëvotime mund t’i dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, apo në adresë të kutisë postare jashtë Kosovës, të cilat hapen nga KQZ-ja me ndihmën e përfaqësisë diplomatike. Gjithashtu, me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, do të organizohet votim edhe në përfaqësi diplomatike për votuesit që kanë përzgjedhur këtë mënyrë të votimi. Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Numërimi i këtyre fletëvotimeve bëhet në Kosovë”, ka thënë Elezi.Sipas ligjit, KQZ përmes akteve nënligjore përcakton kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike të shndërruara në hapësira votimi si dhe do të përcaktojë numrin maksimal të votuesve që mund të votojnë për secilën përfaqësi diplomatike. Sipas ligjit, KQZ-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme do të bëjë vlerësimin e hapësirave fizike për secilën përfaqësi diplomatike.