Lëshohet urdhërarrest për ish-eprorin e lartë policor

14:36 | 24 Maj 2022

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar arrestimin dhe shoqërimin me forcë të ish-shefit të operativës në Policinë e Kosovës, Zhelko Bojiq, i dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, raporton agjencia Ksp.

Në bazë të aktakuzës, e cila është ngritur ndaj të pandehurit më 19 qershor 2020, ngjarja ka ndodhur në vitin 2015 në veri të Mitrovicës, derisa Njësiti antidrogë po zhvillonte një aksion që synim kishte kapjen e një sasie të madhe droge e cila po bartej me një veturë Land Rover.

Mirëpo, dyshohet se me urdhrin e togerit Zhelko Bojiq, njerëz të caktuar të krimit, kishin arritur ta pengojnë njësitin antidrogë, duke pamundësuar kështu aksionin policor.

Bojiq ka më shumë se dy vite që kur ka ikur nga Kosova, ndërsa besohet se fshihet në Serbi.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zhelko Bojiq identifikohet si pjesëmarrës i grupit të krimit të organizuar, grup ky që ishte angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë në Kosovë e Serbi, të cilët mundësonin lehtësimin e trafikimit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve.

Komento: