Limaj pas arritjes së koalicionit me AAK-në: Më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për një front të tillë

20:49 | 17 Janar 2024
limaj-pas-arritjes-se-koalicionit-me-aak-ne:-me-shume-se-kurre,-kosova-ka-nevoje-per-nje-front-te-tille

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas arritjes së koalicionit parazgjedhor me AAK-në, ka thënë se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një dinamikë të re opozitare.

Sipas tij, tani vendit i duhet përvoja politike dhe menaxheriale për të dhënë shtytje proceseve të konsolidimit dhe intergrimit të shtetit të Kosovës.

“Më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për një front të tillë, dhe kjo është vetëm fillimi i këtij bashkimi. Kjo është dera e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar për ta fuqizuar një alternativë të re që do t’i japë krejt një energji dhe dinamikë të re skenës politike në Kosovë.”, ka deklaruar Limaj.

Deklarata e tij e plotë:

“Duke dëgjuar e respektuar zërin e mijëra njerëzve anë e mbanë Kosovës, se vendi më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e energjive pozitive, bashkim në diversitet, bashkim në iniciativa.

Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një dinamikë të re opozitare, opozitë e fakteve, opozitë e angazhuar, opozitë që kritikon aty ku duhet e opozitë që jep alternative.

Vijmë bashkë me kryetarin Haradinaj me një projekt të ri, të përbashkët, i cili veç ka nisur e është i hapur dhe i ftojmë të gjithë ata njerëz që mendojnë se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë t’i bashkojë energjitë, tash është koha për t’i dhënë një dinamikë të re vendit.

Eshtë koha të zgjerohemi dhe të bashkohemi për të dhënë një dinamikë të re vendit.

Ne vijmë bashkë me përvojën tonë politike dhe menaxheriale, me personalitetet tona, për të dhënë një shtytje proceseve të konsolidimit dhe integrimit të shtetit tonë, për të mbajtur Kosovën në kursin që ka qenë ëndërr dhe angazhim i përjetshëm i yni dhe të tjerëve para nesh, kursin perëndimor dhe euro-atlantik.

Ky lajm i gëzon ata që duan bashkim, një front të përbashkët që bashkon njerëzit me këto energji, një bashkim që ka për objektiv të zbusë polarizimin e shoqërisë kosovare, bashkim që do të sjellë alternative dhe veprime për të mirën e qytetarit të Kosovës.

Ne vijmë fuqishëm për të ndryshuar dinamikën e opozitës dhe për të kaluar në një alternativë serioze përpara qytetarëve të Kosovës, në mbrojtje dhe zëdhënës të kategorive të Kosovës që ndjehen të paqësuar dhe të pambrojtur.

Jemi këtu për të siguruar dhe garantuar përpjekjen tonë të përhershme, atë për të cilën është bërë shumë sakrificë, orientimin e Kosovës.

Ne nuk do të lejojmë që Kosova të kalojë në një kurs tjetër, Kosova ka kursin drejt integrimin europerëndimor.

Ne vijmë me alternativa për t’i dhënë ndryshim të fuqishëm Kosovës, dhe ftojmë të gjithë grupet politike, shoqatat, personalitetet, të na bashkohen për një alternativë pozitive për vendin tonë.

Ky është objektivi dhe qëllimi i kësaj që kemi bërë për disa muaj, dhe kjo është përcaktimi që ne si NISME kemi pasur që nga fillimi.

Më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për një front të tillë, dhe kjo është vetëm fillimi i këtij bashkimi.

Kjo është dera e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar për ta fuqizuar një alternativë të re që do t’i japë krejt një energji dhe dinamikë të re skenës politike në Kosovë.”

Komento: