Lindja e trefishtë!

13:11 | 03 December 2023

Shkruan: Musli Krasniqi

Liri a vdekje.

Sa e sa herë qe shfaqur ky film dhe të gjithë po mbanin frymën, sikur po e shikonin për herë të parë.

“Ne nuk jepemi se jemi bijtë e Skënderbeut, që luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdes sipas zakonit, me nder për mëmëdhenë.”

Kjo frazë e heroit në ekran po bëhej moto e formacionit luftarak, që, nga stërvitjet bazave andej Drinit, po kalitej maleve të Kosovës.

Një grusht burrash e djemsh, nga Boletini deri në Pashtrik, nga Llapi e Gallapi deri në Junik, me gjakun valë e zemrën zjarr çlirimtar, me ballin lart e pushkën plot, kishin dyzuar urtësinë burrërore me vrullin djaloshor, duke u nisur shtigjeve të luftës. Andej, maleve të lashta, që me fanatizëm kishin ruajtur erzin e nderin shqiptar.

Aty, në Odën-Shtab të Kullës Orëmadhe të Prekazit, me kushtrimin e Adem Jasharit po niste dasma e kuqe e Kosovës.

“Çdo armiku që na hyn në oborr do t’ia përgjakim ballin. Botës t’ia bëjmë me dije se pushka nuk na është ndryshkur e as baroti nuk na eshte lagur. T’i bashkojmë krismat që po jehojnë gjithandej Kosovës”.

Në varrimin historik, po rilindtte epoka… Në tri shkronja.

Tri lindje në një datë!

“Nuk i bihet murit me krye, djem!”, po pëshpërinte i ndrojtur mes turmës një plisbardhë.

“Me krye jo, ama me grusht, po!”

Djelmënisë po i dallgëzonte gjaku nëpër damarë, para betimit sublim: të biem ne, që të mos bjer Kosova!

Ora e historisë në Kullën e Adem Jasharit trokiti. Jehona e pushkës habertare kaptoi male e detra. Asaj pushke iu bashkuan mijëra djem e vajza që, herë si prush e herë si flakë, shqiptarisht luftuan fushave të trimërisë.

Historia i radhiti në faqet e veta dhe i gradoi me titullin më të lartë: heronj!

Të tillë që jetën japin por të gjallë mbesin!

Lisa që nuk thahen asnjëherë!

Komento: