Lista Serbe kërkon largimin e Njësisë Speciale të Policisë nga veriu

15:15 | 11 Prill 2023

Lista Serbe kërkon largimin e Njësisë Speciale të Policisë nga veriu.

Lista Serbe ka kërkuar që forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga veriu.

Në një reagim të lëshuar nga ky subjekt politik thuhet dhe pretendohet se ndaj serbit Milan Jovanoviq, policia ka shtënë me armë zjarri.

Tutje, Lista Serbe i ka kërkuar ndërkombëtarëve që siç thonë të punojnë në largimin e Njësisë Speciale nga veriu.

Të hënën është raportuar se Policia e Kosovës është përfshirë në një rast të shtënave me armë zjarri në Leposaviq.

Mirëpo më pas PK-ja ka dalë me një sqarim ku i ka mohuar lajmet për përfshirje në një incident të tillë, njofton Klan Kosova.

Sipas PK-së, një person është plagosur në kraharor nga arma e zjarrit, mirëpo nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij.

“Policia e Kosovës me datë 10.04.2023 rreth orës 23.48 ka pranuar një informacion lidhur me dyshimet për plagosje me armë zjarri, të një personi në veri të vendit”.

“Njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore”.

“Nga aty kanë pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në kraharor nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij”.

Komento: