Lushaku pranon postin e nënkryetares së Prishtinës: Ndjej përgjegjësi dhe privilegj

20:16 | 06 Shkurt 2024

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, të martën ka pranuar detyrën e nënkryetares së Prishtinës dhe udhëheqjen e Drejtorisë së Arsimit, pas largimit nga ky post të nënkryetares nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Donjeta Sahatçiu.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu ka thënë se do të angazhohet maksimalisht për t’i përmbushur obligimet dhe përgjegjësitë.

“Në këto detyra të reja, ndjej para së gjithash përgjegjësi, por dhe privilegj para qytetarëve të Prishtinës. Prandaj dhe zotohem, që do të angazhohem maksimalisht që të përmbush çdo obligim me përkushtimin dhe përgjegjësinë më të lartë, gjithmonë në shërbim të qytetarëve të kryeqytetit”, ka shkruar ajo.

Lushaku-Sadriu më tej ka falënderuar kryetarin Përparim Rama që ia ka besuar këto pozita.

“Falënderoj me këtë rast kryetarin Përparim Rama për besimin e tij në mua për implementimin e Programit modern ‘Prishtina e Përjetimeve’ dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për vizionin politik prosperues të LDK-së për një Kosovë më të mirë. Uroj që puna jonë e përbashkët të shënojë arritje e transformim pozitiv të Prishtinës sonë”, ka thënë ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkarkuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu me arsyetimin se ka ngecje në fushën e digjitalizimit.

LDK-ja dhe PDK-ja janë në koalicion në kryeqytet dhe Sahatçiu është zyrtarja e radhës që shkarkohet nga Rama.

Ditë më parë u shkarkua edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, po ashtu zyrtar i PDK-së.

Njoftimi për shkarkimin e Sahatçiut u bë në ditën kur PDK-ja e VV-ja thirrën seancë për anulimin e shkëmbimit të pronave publike me ato private të ish-klientit të Ramës

Komento: