Maliqi për propozimin franko-gjerman: As Kosovës s’i garantohet ulësja në OKB, as Serbia s’hyn shpejt në BE

17:18 | 11 Tetor 2022

Propozimi franko-gjerman, Maliqi: As Kosovës s’i garantohet ulësja në OKB, as Serbia s’hyn shpejt në BE.

Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, ka thënë se deklaratat e fundit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, lënë të kuptojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi, se ekziston propozimi francezo-gjerman.

Por, sipas tij, ky propozim nuk duket të jetë i detajuar krejtësisht, por jep një kornizë të përafërt të asaj që është e mundshme.

“Dokumenti më shumë është si udhëzues, si sugjerues dhe palët po kapen për elementet e saj, për sfera që duken të dobishme në këtë moment për komunikim strategjik. Kosova besoj që ndoshta sheh hapësirë për optimizëm, për faktin se në këtë formulë – ku sipas të gjitha gjasave nuk parashihet njohja e drejtpërdrejtë, por më shumë implicite – ulet edhe presioni për Kosovën për ta bërë ndonjë kompromis të madh në lidhje me Asociacionin [e komunave me shumicë serbe]. Kështu që, ndoshta aty [në dokument] Kosova e sheh një lloj hapësire për një marrëveshje që së brendshmi mund të jetë më e pranueshme”, ka thënë Maliqi për REL.

Gjithashtu, Maliqi vlerëson se në konstelacionin aktual ndërkombëtar, Serbia nuk ka hapësirë t’i rezistojë presionit të Perëndimit, pa mbështetjen e mjaftueshme të Rusisë, e cila ka pozicion të pas pushtimit të Ukrainës. Ndërsa, për Kosovën thotë se e ka të pamundur të ecë përpara në integrimet europiane dhe organizata ndërkombëtare pa mbështetjen e Perëndimit.

“Sfida kryesore e këtij propozimi ndërkombëtar është se ai bazohet në shumë supozime dhe rrethana hipotetike, që kanë të bëjnë sidomos me garancitë e ndërmjetësuesve. Pra, në asnjë rrethanë, sidomos sikurse kjo e sotmja, Kosovës nuk mund t’i garantohet ulësja në OKB, sepse aty nuk është çështja vetëm te Serbia, por aty është Rusia dhe Kina. Ndërkohë, Serbisë nuk mund t’i garantohet përshpejtimi i hyrjes në BE, sepse për hyrje në BE nuk është kushti i Kosovës i vetmi, por ka të bëjë edhe me standardet e qeverisjes dhe me reformat”, vlerëson Maliqi.

Sipas tij, Kurtit dhe Vuçiqit u ka arritur propozimi përmes këshilltarëve Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emanuel Macron.

Komento: