Manchester United ‘shkatërrohet’ nga Watfordi

18:09 | 20 Nëntor 2021

Man United demolohet nga Watfordi.

Manchester United ka pësuar një disfatë turpëruese si mysafir i Watfordit, duke e thelluar edhe më shumë krizën e rezultateve.

“Djajtë e Kuq” kanë humbur me rezultat të thellë 4-1 ndaj skuadrës së drejtuar nga Claudio Ranieri.

Sfidën e zhbllokoi sulmuesi Joshua King i cili realizoi gol në minutën e 28-të, gjersa epërsia u dyfishua në fund të pjesës së parë kur Ismaila Sarr realizoi një gol të bukur në minutën e 44-të.

Në pjesën e dytë u shfaqën shenja rikthimi për “djajtë” kur ata ngushtuan epërsinë në minutën e 50-të të ndeshjes me anë të sapo inkuadruarit në lojë, holandezit Donny van de Beek i cili shënoi një gol të thjeshtë pas një asisti të Ronaldos.

Teksa United përpiqej të barazonte rezultatin, gjërat u përkeqësuan për ta pasi mbrojtësi Harry Maguire u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 69-të, duke e lënë skuadrën mysafire me një futbollist më pak në fushë.

Kjo duket se i bëri favor jashtë mase skuadrës së drejtuar nga Claudio Ranieri të cilët përveçse ruajtën portën e tyre, ata arritën të realizojnë edhe dy herë deri në fund të takimit, me anë të Joao Pedros në minutën e 90+2′ dhe Emmanuel Dennis i cili realizoi në minutën e 90+6′ për epërsinë finale 4-1 të Watfordit.

Me këtë fitore “djajtë” thellojnë krizën e tyre ku tani kanë vetëm një fitore të arritur në gjashtë ndeshjet e fundit në Premier Ligë.

United mbesin me në pozitën e shtatë aktualisht me 17 pikë të mbledhura, gjersa Watfordi në pozitën e 16-të me 13 pikë të mbledhura.

Komento: