Marrëveshja në Uashington, Serbia nis përplasjen me Rusinë pasi Vuçiqi u paraqit si student para Trumpit

11:39 | 06 Shtator 2020

Efektet e para të Marrëveshjes në Uashington, Serbia nis përplasjen me Rusinë pasi Vuçiqi u paraqit si student para Trumpit.

Drejtoresha e Departamentit për Informim dhe Medie në Ministrinë e Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, është tallur me mënyrën se si presidenti serb, Aleksander Vuçiq, u ul para presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se ai dukej sikur po merrej në pyetje.

Ajo i publikoi në llogarinë e saj në Facebook dy fotografi. Në njërën fotografi shihet Vuçiqi i ulur përballë presidentit amerikan, ndërsa në tjetrën është një skenë e filmit “Basic Instinct”, ku një grua me fund të shkurtër është e ulur në pozicionin këmbën mbi këmbë. Zakharova e ftoi Vuçiqin të ulet pikërisht në atë mënyrë.

Duket se ky postim nuk u ka pëlqyer zyrtarëve në Beograd. I menjëhershëm ishte reagimi i të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, i cili i doli në mbrojte presidentit serb.

“Paramendoni, presidenti (Vuçiq) nuk tha as një fjalë të vetme të keqe kundër Rusisë, madje as në atë vend (Shtëpinë e Bardhë). Dhe paramendoni se presidenti (Vuçiq) priti një orë e gjysmë për një takim me presidentin rus dhe kurrë nuk kërkoi karrige të veçantë. Unë nuk ju lejoj ju që ta sulmoni Serbinë krenare. Turp të qoftë”, shkruhet në postimin e Gjuriqit në Tëitter.

“Dhe më lejoni të shtoj se blerja e gazit është tërhequr nga ajo marrëveshje vetëm me këmbënguljen e njeriut që ishte i ulur në atë karrige. Turp të qoftë edhe njëqind herë!”, thuhet më tej në postimin e këtij zyrtari serb.

Komento: