Marrveshje pa kompromis nuk ka, shkëmbimi nuk është ndarje

15:55 | 29 March 2020

Bisedime dhe marrveshje pa kompromise nuk kishte as në Ramboulliet në vitin 1999, as në Vjenë në vitin 2006 dhe nuk mund të ketë as sot kur Serbia dhe përkrahësit e saj janë fuqizuar dukshëm në skenën e politikës ndërkombëtare!

Të kota janë vajtimet e palëve për të drejtat e tyre që mund të neglizhohen pak ose shumë, sepse në artin e së mundshmës vlenë më tepër ligji i forcës se sa forca e ligjit!

Bota nuk është më ajo e para 30 viteve, kur SHBA-të e dominonin dukshëm gjeopolitikën botërore.

Nga shumë analistë të politikës ndërkombëtare konsiderohet se gjeopolitika botërore në ditët e sotshme është trepolëshe, e pëcaktuar kështu nga SHBA-të në njërin pol dhe Rusia e Kina në dy polet tjera.

Dhe këto shtete të mëdha, Rusia në krye të herës e Kina më vonë, ishin dhe janë edhe sot e kësaj dite fuqishëm në përkrahje të Serbisë, e cila nga ana e saj ka avancuar dukshëm në raport me Kosovën, me zhvillim ekonomik, me shtimin e forcës ushtarake si dhe me përmirësimin e imazhit politik dhe konsolidimin e aleancave ndërkombëtare!

Aq shumë është forcuar Serbia në skenën politike ndërkombëtare, sa që po ka mundësi me i bindë shtetet e ndryshme, që ti tërheqin njohjet e tyre kundrejt shtetit të Kosovës.

Kosova në anën tjetër, nga viti 2014 e këtej ka kaluar nëpër një etapë krizash dhe bllokadash të njëpasnjëshme politike të cilat së bashku me keq qeverisjen e brendshme dhe performancën skandaloze në politikën e jashtme e kanë dobësuar dukshëm pozicionin e saj karshi problemit të cilin e ka me Serbinë armiqësore.

Kosova nuk njihet nga 5 shtete të BE-së ku aspiron të anëtarësohet, nuk ka mundur të anëtarësohet në OKB e as në organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare si: UNESCO, INTERPOL , OSCE dhe NATO.

Nga bisedimet bllokuara për momentin, përveç rregullimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore, Serbia dhe Kosova presin që tu hapet rruga për anëtarësim në struktura të rëndësishme gjeopolitike, Serbia në BE, ndërsa Kosova njëherë në OKB e pastaj në NATO dhe BE.

Ç’është e vërteta Serbia në rrugën e saj drejtë anëtarësimit në BE ka përparuar dukshëm. Duket që kushtet e BE-së karshi Serbisë janë shumë elastike dhe ajo ndoshta do të anëtarësohet në BE edhe nëse dështojnë bisedimet me Kosovën.

Ndërsa në raport me Kosovën BE-ja s’ishte aspak korrekte, aq sa edhe liberalizimin e vizave nuk qe në gjendje t’ja jap Kosovës edhe përkundër kushteve të stërplotësuara nga ana e saj!

E vetmja garancë kredibile që ka Kosova për ti vazhduar bisedimet me Serbinë, është qëndrimi i SHBA-ve se këto bisedime do të përfundojnë me njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova s’ka kujt i beson më tepër se sa SHBA-ve, pasi që vetëm për shkak të ndikimit të saj vendimtar ajo u çlirua në vitin 1999, u bë shtet i pavarur më 2008 dhe me forca ushtarake në vitin 2019.

Në po këtë vit që e lam pas u zhvillua një debat i mundimshëm në skenën tonë politike dhe në popull gjithashtu, lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë, i karakterizuar nga një diskurs i tensionuar dhe polarizues, me fjalë të rënda dhe me etiketime nga më të ndryshmet, debat që është rikthyer përsëri këtyre ditëve duke e ligështuar shëndetin tonë politik dhe psikofizik, në këtë kohë kur e tërë bota po kërcënohet nga një pandemi tejet e rrezikshme!

Shkëmbimi territorial, apo Ahtisari plus, ishin dy opsionet rreth të cilave u thyen shtizat e debatit politik, si dy nga përfundimet e mundshme të këtij dialogu.

Dhe interpretimet pro et contra shkëmbimeve territoriale shkonin nga njëri skaj në tjetrin, nga demarkacioni i kufirit me Serbinë e deri te ndarja e Kosovës, ndërsa opsioni tjetër Ahtisari plus përmendej më pak dhe hidhej poshtë nga të gjithë.

Si rezultat i paraqitjës së opsionit të shkëmbimit territorial si ndarje e Kosovës, ky opsion u rrefuzua nga shumë politikanë, analistë politik dhe nga shumica e popullit të Kosovës.

Faktorët politik kryesor të cilët vitin e kaluar e stopuan opcionin e shkëmbimeve territoriale në mes Kosovës dhe Serbisë ishin kreu politik i Gjermanisë dhe Anglisë.

Por sido që të paketohet në fund marrëveshja eventuale, e cila sipas kërkesave kosovare dhe mendimit të administratës amerikane do të duhej të përfshinte njohjen e Kosovës nga Serbia, ajo sipas të gjitha gjasave do të përfshijë edhe kompromise nga pala kosovare që mund të jenë: të drejta shtesë për komunitetin serb në Kosovë (Ahtisari plus), ndonjë solucion tjetër të padiskutuar apo edhe shkëmbimet territoriale të rrefuzuara deri më tani.

Dhe kur jemi te ky opsion i fundit i cili duket që e ka humbur aktualitetin politik, dua të shpreh mendimin tim personal, se korrigjimi i kufirit dhe shkëmbimi territorial, nuk paraqesin ndarje të Kosovës. Shkëmbimi nuk është ndarje, shkëmbimi është shkëmbim, madje edhe nëse marrim më pak se sa japim, sepse Serbia kërkon diçka në këmbim të njohjës dhe ate fuqitë botërore do t’ja japin nëse gjykojnë se marrveshja Serbi –
Kosovë duhet të ndodhë patjetër dhe tash.

Teza se me ndryshimin e kufijve cënohet shtetësia e Kosovës nuk qëndron, sepse ajo ende nuk është vulosur përfundimisht, pa u zëvendësuar rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me një rezolutë tjetër e cila e deklaron Republikën e Kosovës si anëtare të OKB-së.

Se çka mund të japim, për të marr ate çka dëshirojmë, për këtë do të vendosin edhe politikanët tanë, nëse janë unik karshi dialogut dhe bashkësisë ndërkombëtare, dhe nëse arrijnë t’a zgjidhin si duhet dilemën, se a më e mirë është marrëveshja apo konflikti i ngrirë!

Komento: