MASH tregon se çka po ndodh me shkollat ku po paraqiten raste me Covid-19

11:44 | 21 Tetor 2020

Çka po ndodh me shkollat ku po paraqiten raste me Covid-19? Flasin nga MASH.

Ministria e Arsimit dhe Shkencave (MASH) kanë sqaruar situatën lidhur me shkollat ku po paraqiten rastet me koronavirus.

Diellza Kukaj, këshilltare politike e Ministrit të MASH-it, nëpërmjet një imelle elektronike për Gazetën Express ka njoftuar se nxënësit po mbajnë mësim në përputhje me skenarin C dhe B.

“Deri me tani shkollat po i respektojnë udhëzimet e MASH, MSH, dhe IKSHPK. Përkatësisht, po operojnë bazuar në udhëzuesin e përgjithshëm të MASh për organizimin e mësimit në kushte pandemie, dhe protokolin e reagimit ndaj pandemisë covid19. Shkollat nuk po mbyllen, por mësimi po organizohet konform udhëzuesit të përgjithshëm sipas tre skenarëve bazuar në gjendjen me virus. Mësimi online dhe aj nga distancë janë në dispozicion për nxënësit të cilët aktualisht po mbajnë mësimin sipas skenarit C dhe atij të kombinuar B”, ka thënë ajo.

Kukaj ka sqaruar se në rast kur mësimdhënësit shfaqin simptoma për koronavirus, menaxhmenti i shkollës informon DKA/QKMF-në e komunës përkatëse, si dhe mëtohet të gjendet zëvendësim të stafit.
“Në secilin rast kur një mësimdhënës tregon simptoma të ngjashme me Covid-19, menaxhmenti i shkollës duhet të informojë DKA-në/QKMF-në përkatëse, dhe DKA duhet të: gjejë zëvendësim të përkohëshëm brenda stafit të shkollës menjëherë, sigurojë testimin për covid – 19 në afatin sa më të shkurtë për mësimdhënësin dhe në rast të rezultatit pozitiv – të gjejë zëvendësim nga mësimdhënësit e shkollës ose nga lista e mësimdhënësve rezervë në komunë”, thuhet tutje në imellën e këshilltares politike të ministrit Ramë Likaj.

Në anën tjetër, e njëjta ka thënë se një sjellje e tillë e institucioneve të arsimit do vlejë deri në ndonjë vendim tjetër të qeverisë.

Përgjatë ditës së djeshme, në një prononcim për Express, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, e ka vlerësuar rikthimin në platformën online të procesit arsimor si problematike.

“Platforma online është shumë e vështirë për t’u ndjekur, marrë parasysh mungesën e pajisjeve teknologjike në mesin e stafit mësimor, e posaçërisht nxënësve”, deklaroi Jasharaj për Express.

Ai rikujtoi edhe refuzimin e propozimit të SBASHK-ut për shtyerjen e procesit mësimor për vitin e ardhshëm, kërkesë kjo e refuzuar nga MASH.

Përgjatë ditës së djeshme, u raportuan për mbylljen e dy shkollave në Komunën e Vushtrrisë, si rrjedhojë e paraqitjeve të rasteve me Covid-19 në institucionet arsimore.

Komento: