“Mashtrimeve tuaja po ju vjen fundi, 9 shkurti po vjen”, “E keni mbytur dialogun social”, kritikat që sot LDK ia bëri Qeverisë Kurti

16:29 | 25 Gusht 2024
“mashtrimeve-tuaja-po-ju-vjen-fundi,-9-shkurti-po-vjen”,-“e-keni-mbytur-dialogun-social”,-kritikat-qe-sot-ldk-ia-beri-qeverise-kurti

Edhe këtë të diel opozita ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti. Dy deputetët e LDK-së, Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami (ish-minitra në Qeverinë Kurti 1), kanë adresuar kritika në drejtim të ekzekutivit, shkruan Reporteri.net.

Hoti ka thënë se gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social dhe se Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet.

“Është e papranueshme që në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional që përfaqëson punëtorët, të anashkalohet BSPK-ja dhe të përzgjidhet një person që sipas evidencës së ofruar nga BSPK-ja nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë përfaqësues i punëtorëve në Bordin e Trustit Pensional që menaxhon kursimet pensionale të punëtorëve. Unë ftoj të gjitha sindikatat të bëhen bashkë për të parandaluar këtë shkelje. Shihni letrën e BSPK-së dërguar Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa”.

“Në fakt, kjo sjellje e qeverisë nuk është asgjë e re tanimë. Gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social. Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet. Puna e Këshillit Ekonomik-Social është paralizuar. Pagesat simbolike që punëtorët kanë bërë si kontribut i anëtarësisë në sindikata tani kontrollohen nga Qeveria dhe tani këto lloj pagesa janë përgjysmuar. Secili sindikalist që ka kundërshtuar qeverinë është linçuar nga zyrtarë e militantë të partisë në pushtet, të cilat linçime janë pasuar me veprime të tjera në organizatën përkatëse. Këta mashtrues që bëjnë thirrje për fuqizim të sindikatave në sektorin privat po e pengojnë me çdo formë organizimin sindikal në sektorin publik”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kurse, deputetja Hykmete Bajrami, ka thënë se Qeveria Kurti se ka problem buxhetin se i ka vjelë qytetarët përmes inflacionit, shkruan Reporteri.net.

“Mashtrimet dhe manipulimet e ministrit të financave nuk kalojnë. Shkruan për bono të Thesarit të diasporës dhe nuk përmend asnjë numër, asnjë shifër – asnjë. Taman postim për të mashtruar.
Thotë janë bë tri vjet, nuk tregon sa bono kishte blerë diaspora, nuk tregon sa ishte fondi që ndihmuan bizneset. Që po ju tregoj unë oferta e Hekuranit për diasporën ka qenë rreth100 milionë euro investime në bono Thesari. A e dini sa bono Thesari ka blerë diaspora? Ka blerë 9.1 milionë euro bono me maturim 5 vjeçar, dhe 1.3 milionë euro bono me maturim 3 vjeçar, po po saktë 10.4 milionë euro dmth. 10 % të kapacitetit investues. E ministrit që i flejnë 600 milionë euro taksa të qytetarëve as për këto 10.4 milionë euro s’ka pasë nevojë”.

“Qeveria Kurti se ka problem buxhetin se i ka vjelë qytetarët përmes inflacionit, problem e ka kapacitetin për implementim që nuk arriti ta ndërtojë as pas katër viteve.
9 shkurti po vjen, mos harroni kush u a vodhi 4 vite me broçkulla”, ka shkruar Bajrami. /Reporteri.net/.

Komento: