Mbledhja në ora 15:00/ LDK e PDK në Prishtinë ende pa vendim për faljen ose jo të tatimit në pronë

13:20 | 07 Dhjetor 2023
mbledhja-ne-ora-15:00/-ldk-e-pdk-ne-prishtine-ende-pa-vendim-per-faljen-ose-jo-te-tatimit-ne-prone

Komuna e Prishtinës ende nuk ka marrë vendim për faljen ose jo të tatimit në pronë.

Ani, pse dita e fundit për këtë mbetet vetëm edhe nesër, shkruan Front Online.

Pikërisht, për këtë sot është thirrë seancë e jashtëzakonshme për në orën 15:00.

E, pikë e vetme e rendit të ditës në këtë seancë është propozim-vendimi për faljen e tatimit në pronë për pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023.

Por, nga Lidhja Demokratike dhe partia Demokratike parti këto në pushtet po thonë se ende nuk kanë marrë vendim për këtë çështje.

Asamblisti i LDK-së, Milazim Vitija ka treguar për Front Online se sot para fillimit të seancës do të mblidhen edhe njëherë dhe aty do të marrin vendim.

“Prej orës 13:00 e kemi një takim tjetër edhe do të marrim vendim”, ka thënë shkurti ai, për Front Online.

Vendim nuk kanë marrë as nga PDK-ja.

“Nuk kemi marrë vendim. Unë jam veç asamblist”, është shprehur asamblisti i PDK-së, Muhamet Selmani.

Kurse, nga grupi i asamblistëve të LVV-së për Front Online kanë thënë se e përkrahin vendimin për faljen e tatimit në pronë, pasi që vet kanë qenë iniciues.

Por, e vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e partive në pushtet në seancë të jashtëzakonshme.

“Ne jemi ata që e kemi iniciuar dhe që e kemi propozu këtë pikë dhe natyrisht që e përkrahim. Propozimi i kryetarit Përparim Rama është propozim koti për konsum të jashtëm. Veç pyetja është se a do të vijën në seancë partitë në pushtet, ”është shprehur asamblisti i VV-së, Gëzim Sveçla.

Dy ditë më parë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me një propozim për faljen e tatimit në pronë pasi Gjykata Kushtetuese ditë më parë mori vendim sa i përket kësaj çështjeje.

Rama ka propozuar që çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro të falet.

“Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro. Nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, ky propozim do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do të dëmtojë qëndrueshmërinë buxhetore të Kryeqytetit./Front Online/

 

 

Komento: