Mbrojtja thotë se Salih Mustafa nuk ka kryer krime lufte dhe se duhet të shpallet i pafajshëm

14:22 | 22 Mars 2022

Avokati i Salih Mustafës i ka thënë turpit gjykues në Hagë se i mbrojturi i tij është i pafajshëm në të gjitha akuzat me të cilat e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Mbrojtja e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka thënë se prokuroria nuk ka arritur të paraqes prova se Mustafa ka kryer krimet për të cilat akuzohet. Gjithashtu, ka deklaruar se ZPS nuk ka arritur të hetojë asnjë nga bashkëkryesit e pretenduar që përmenden në aktakuzë. Avokati Julius Von Bone ka deklaruar se janë të bindur që Salih Mustafa është i pafajshëm dhe se për këtë do të paraqesin dëshmi para gjykatës.

Në deklaratën e tij hapëse, mbrojtja e Salih Mustafës ka thënë i mbrojturi e tij asnjëherë nuk ka ndaluar ndonjë person apo maltretuar dikë, siç pretendohet në aktakuzë.

“Salih Mustafa asnjëherë nuk e ka ndaluar asnjë person, Salih Mustafa asnjëherë nuk e ka maltretuar asnjë person, Salih Mustafa asnjëherë nuk ka vrarë asnjë person dhe as që ka urdhëruar dikë tjetër që të bënte një gjë të tillë. Salih Mustafa, me shumë të tjerë, është një patriot dhe ka luftuar për çlirimin e vendit të vet kundër një…(përmbajtje e redaktuar)”, ka thënë avokati i Mustafës.

Von Bone ka thënë se Mustafa nuk ka bërë asgjë kundër ndonjërit nga dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Ne nuk mendojmë, të nderuar gjykatës, që dëshmitarët që i solli ZPS për të dhënë dëshmi ishin viktima të zotit Salih Mustafa. Pjesa më e madhe e dëshmitarëve asnjëherë nuk e kishin njohur zotin Mustafa dhe asnjëri prej tyre nuk e identifikoi atë siç duhet, dëshmitarët thjeshtë thanë një emër pa e ditur se cili është person, duke përshkruar një person në hollësi që nuk e kishin njohur asnjëherë përpara luftës madje edhe pas luftës. Andaj ne besojmë se ZPS nuk arriti të paraqiste prova të cilat përmbushin kriterin e domosdoshëm për të vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm se zoti Mustafa ka kryer krimet që akuzohen në aktakuzë. Akuzat janë të gabuara dhe zoti Mustafa duhet të shpallet i pafajshëm për krimet që i ngarkohen. Mbrojtja nuk ka nevojë të provojë që zoti Mustafa nuk i ka kryer këto krime, megjithatë ne paraqesim çështjen tonë”, ka thënë avokati.

Mbrojtja e Mustafës ka thënë se nuk mund të sjellin rrëfime minutë për minutë para gjykatës për kohën se ku ka qenë Salih Mustafa dy dekada më parë, meqë sipas tij ka kaluar periudhë e gjatë kohore.

Megjithatë, ai ka thënë se mbrojtja do të sjellë dëshmitarët të cilët do të tregojnë se ku ka qenë Salih Mustafa dhe cila ka qenë situatë atë kohë në Zllash, vend ky në të cilin prokuroria pretendon se janë kryer krimet.

“Shpresoj vërtetë se ZPS do të dëgjojë atë që kanë për të thënë dëshmitarët e mbrojtjes dhe shpresoj që ZPS do ta rishqyrtojë qëndrimin e vet për të dëgjuar me një vesh të hapur pra dhe për të parë me sy të hapur atë që thonë të tjerët lidhur me të akuzuarin, lidhur me situatën në Zllash, me qëllim për të hedhur dritë mbi të vërtetën e kësaj çështje në lëndën që po diskutojmë këtu. ZPS nuk arriti të hetonte asnjë nga bashkë kryesit e pretenduar që përmenden në aktakuzë. Mbrojtja vret mendjen nëse kjo gjë është bërë qëllimisht apo nga frika se mos dëgjohej diçka tjetër që mund ta dëmtonte çështjen e tyre. Mbrojtja beson se këta njerëz mund ë ishin gjetur”, ka thënë Von Bone.

Para gjykatës, mbrojtja ka deklaruar se Salih Mustafa është i pafajshëm dhe se i njëjti duhet të lirohet nga të gjitha pikate aktakuzës.

“Mbrojtja do të paraqes këtu prova, ne jemi të bindur fuqimisht që zoti Mustafa nuk është fajtor për akuzat e ngritura kundër tij bazuar në materialin që ne mund të gjenim. Ne nuk kemi nevojë të provojmë pafajësinë e tij sepse një person gjithmonë prezumohet i pafajshëm derisa të provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se ai person në fakt ka kryer krimet për të cilat akuzohet në aktakuzë. Mbrojtja është e bindur dhe është e vendosur në qëllimin e saj se Zoti Mustafa është i pafajshëm dhe se duhet liruar nga të gjitha akuzat, duhet të shpallet i pafajshëm”, ka thënë avokati Von Bone.

Avokati ka thënë se Salih Mustafa ishte komandant i njësisë BIA por që e njëjta nuk kishte ndonjë lidhje me fshatin Zllash.

Ai ka theksuar se anëtarët e BIA-s kanë qëndruar ndonjëherë në shtëpitë e civilëve për shkak të nevojës për të pushuar, relativisht larg zonave urbane ku edhe kryheshin operacione.

Me ketë ka përfunduar deklarata hapëse e mbrojtjes e cila shënon fillimin e çështjes së saj.

Në seancën gjyqësore që do të mbahet nesër në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Komento: